Aplikacion
Fatjon Baci, gardiani i burgut telefonin e të cilit përdori Erion Veliaj, ka folur me detaje para prokurorëve të posaçëm për bisedat që kryebashkiaku i Tiranës ka realizuar gjatë kohës që u transportua nga paraburgimi I Durrësit për në ambientet e gjykatës së posaçme të Apelit.
Fatjon Baci, efektiv i shoqërimit të të paraburgosurve, ka pranuar para hetuesve të SPAK se ia ka dhënë celularin Veliajt në dy momente të ndryshme, përpara dhe pas seancës gjyqësore, për shkak të presionit dhe frikës që ndjente nga figura publike e të arrestuarit.
“Në furgon, para se të mbërrinim në Tiranë, më kërkoi të telefononte vëllain se ndihej keq. Ia dhashë telefonin dhe ai komunikoi vetë me numrin. Më pas, përsëri pas gjyqit, para se të kalonim shinat pranë SPAK-ut, më kërkoi sërish telefonin. Edhe atëherë ja dhashë nga frika,” dëshmon efektivi në dosje.
Nga dëshmia rezulton se Veliaj ka folur me vëllain e tij për ecurinë e seancës gjyqësore, duke cituar se avokatët e kishin vlerësuar paraqitjen e tij si “10/10” dhe kishin shprehur optimizëm për shtyrjen e vendimit. Po ashtu, ai i kishte thënë vëllait: “E kanë me mua personale.”
Baci tha se në një nga bisedat ka dëgjuar që ai po fliste për një plan që të bëhej deputet e në këtë mënyrë do të mund të shpëtonte nga burgu.
“Nuk e mbaj mend fiks se me kë, për shkak se edhe unë jam i ngarkuar, por Erioni i ka thënë bashkëshortes ose vëllait se: “Të sakrifikonin një nga studentët për deputet, sikur të ishin sëmurë apo nuk ndiheshin mirë nga gjendja shëndetësore, dhe që të futej Erioni si kandidat për deputet, që t’i shpëtonte burgut”. Këtë gjë e thoshte se është Plani B, plani i vetëm për të shpëtuar. Ai mbaj mend se më ka thënë se edhe disa kryebashkiakë të tjerë si Tërmet Peci apo një me mbiemër Malaj, po bëhen deputetë që t’i shpëtojnë SPAK-ut. Po kështu, Erioni gjatë bisedës me gruan ose vëllain, thoshte se Ulsiun e ka nxjerrë ai deputet nga Paskuqani ose Lapraka, por nuk e dinte që mbante anën e SPAK-ut, i thoshte Erioni se Ulsiun e dinte që e kishte mik. Pasi mbaroi bisedat telefonike, Erioni më kërkoi që të lexonte lajmet”, tha ai.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit