Aplikacion
Një raport paraprak nga autoritetet amerikane ka zbuluar detaje të reja mbi motivet e personit të akuzuar për sulmin me armë ndaj Donald Trump gjatë një aktiviteti me gazetarët në Shtëpia e Bardhë.
Sipas analizës së përgatitur nga strukturat e sigurisë kombëtare në Shtetet e Bashkuara, 31-vjeçari Cole Thomas Allen dyshohet se është ndikuar nga qëndrimet e tij kundër politikave amerikane, veçanërisht lidhur me konfliktin me Iranin. Hetuesit besojnë se tensionet e vazhdueshme mes dy vendeve mund të kenë luajtur rol në vendimin e tij për të ndërmarrë sulmin.
Materialet hetimore përfshijnë edhe një dokument të hartuar nga vetë i dyshuari para ngjarjes, ku ai shprehte armiqësi të fortë ndaj presidentit dhe administratës së tij. Në këtë shkrim, ai thuhet se kishte në shënjestër drejtues të lartë të qeverisë, ndërsa përjashtonte disa figura të tjera dhe civilët, për sa kohë nuk ndërhynin.
Prokurorët kanë theksuar se Allen kundërshtonte hapur vendimet politike të administratës dhe e konsideronte veprimin e tij si një reagim ndaj tyre. Ai tashmë përballet me akuza të rënda, përfshirë tentativë për vrasjen e presidentit, përdorim arme në një krim të dhunshëm dhe shkelje të ligjeve për transportin e armëve.
Gjatë incidentit, ai dyshohet se ka qëlluar edhe ndaj një agjenti të Shërbimit Sekret, ndërsa përpiqej të hynte në zonën e sigurisë së eventit. Ndërkohë, hetuesit po shqyrtojnë aktivitetin e tij në rrjetet sociale, ku ai kishte publikuar mesazhe kundër Trump dhe politikave ndërkombëtare të SHBA-së./ Zoom.al