Aplikacion
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë të ditur se ka refuzuar përdorimin e jelekut antiplumb, edhe pse ndaj tij janë regjistruar disa tentativa atentati.
Gjatë një deklarate për mediat, ai e trajtoi çështjen me nota humori, duke thënë se një masë e tillë sigurie nuk do t’i përshtatej. Sipas tij, veshja e një jeleku mbrojtës do ta bënte të dukej dukshëm më i rëndë fizikisht.
“Nuk e di nëse do të mund të duroja të dukesha 20 kilogramë më i rëndë”, tha Trump.
Megjithatë, ai pranoi se këto pajisje sigurie janë efektive, duke përmendur rastin e fundit ku një agjent u plagos. Ngjarja ndodhi gjatë një aktiviteti në Hilton Washington Hotel, ku po zhvillohej një event i lidhur me Shoqatën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.
Sipas Trump, jeleku antiplumb i shpëtoi jetën agjentit, i cili u qëllua nga një distancë e afërt, por nuk pësoi dëmtime serioze.
Ai konfirmoi gjithashtu se këshilltarët e sigurisë i kanë sugjeruar në mënyrë të përsëritur përdorimin e jelekëve mbrojtës, por shtoi se kjo mbetet një çështje që ai do ta shqyrtojë vetë.
I pyetur për rrezikun e mundshëm të një tjetër sulmi, Trump u shpreh se nuk fokusohet te këto skenarë, duke theksuar se një qasje e tillë do ta pengonte në ushtrimin e detyrës së tij./ Zoom.al