Aplikacion
Zbardhen detaje të reja nga grabitja e ndodhur në filialin e “OTP Bank” pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë, ku një person i maskuar arriti të largohej me një shumë të konsiderueshme parash.
Sipas të dhënave paraprake nga hetimet, autori dyshohet se ka përdorur një armë lodër gjatë grabitjes. Dyshimet janë ngritur pasi sistemi i kontrollit në hyrje të bankës nuk ka sinjalizuar praninë e një arme të vërtetë në momentin kur ai hyri në ambientet e filialit.
Sipas burimeve për Zoom.al, policia po verifikon edhe pistën e një bashkëpunimi të mundshëm nga brenda bankës. Dyshohet se një person i afërt me stafin mund t’i ketë dhënë autorit informacion të detajuar mbi lëvizjet brenda filialit, si dhe momentin kur klientja që mbante shumën e parave do të kryente depozitimin.
Sasia e parave të grabitura raportohet të ketë qenë rreth 50 milionë lekë të vjetra.
Ndërkohë, autoritetet kanë arrestuar rojen e sigurisë së bankës, ndaj të cilit rëndon akuza për shpërdorim detyre. Sipas policisë, ai nuk ka reaguar në mënyrën e duhur gjatë grabitjes, çka ka shtuar dyshimet mbi përgjegjësinë e tij në ngjarje.
Pas grabitjes, autori është larguar me një skuter elektrik, duke përfituar nga rrugicat për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë. Deri tani ai mbetet në arrati, ndërsa grupi hetimor po vijon kontrollet dhe analizimin e kamerave të sigurisë për identifikimin e tij./ Zoom.al