Aplikacion
Në kuadër të hetime që SPAK po zhvillon prej 2 vitesh për tjetërsimin e pronave të ushtrisë në Sarandë, mësohet se ditën e sotme janë ushtruar kontrolle në banesën dhe zyrën e biznesmenit Artan Dulaku dhe të një tjetër biznesmeni me icialet G.K.
Burime për mediat bëjnë me dije se kontrollet janë ushtruar me kërkesë të prokurores Manjola Kajana dhe me vendim të GJKKO-së.
Për të mos lejuar tjetërsimin e pronës së ushtrisë, në kushtet kur SPAK ka të hapur një hetim mbi procedurat e privatizimit, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi Bazën Detare të Limionit në Sarandë, pronë e ushtrisë shqiptare, e cila në korrik të viti 2020, me vendim të qeverisë, i është dhënë me qira, si pjesë e një territori prej mbi 265 mijë metrash katrorë, bashkimit të shoqërive “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a., përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda shpk”, si qiramarrës.
Shoqëria parashikon ndërtimin e një kompleksi hotelesh, rezidencash dhe një port jahtesh që do të ofrojë mundësinë për ankorim për 400 anije. Kërkesa e shoqërisë “Marina Bay Saranda” për heqjen e sekuestros për bazën detare në qytetin bregdetar u rrëzua më 12 nëntor 2024 nga Gjykata Kushtetuese.
Hetimi i SPAK nisi pas kallëzimit nga ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari në vitin 2021.
Baza detare e Sarandës do të qëndrojë e sekuestruar derisa Prokuroria e Posaçme të dalë me një vendim për hetimin e nisur lidhur me procedurat e ndjekura për dhënien me qira te privati të pronës së ushtrisë. /Zoom.al