zoom

Ekonomi

Wizz Air braktis Kukësin duke forcuar monopolin e aeroportit të Tiranës

Wizz Air braktis Kukësin duke forcuar monopolin e aeroportit të Tiranës

“Nga vështirësitë e shumta në terren dhe faktorët atmosferikë, kompania jonë vendosi të ndalojë operimet në aeroportin e Kukësit”, ishte përgjigjia zyrtare e linjës ajrore Wizz Air, kur u pyet për arsyen e largimit nga kjo njësi.

Largimi i kompanisë low cost e lë aeroportin e Kukësit me vetëm një linjë ajrore, atë të Air Albania, duke limituar kështu aktivitetin dhe duke drejtuar përsëri qytetarët tek aeroporti i Tiranës aty ku operon Wizz Air, e vetmja linjë “e lirë”, në Shqipëri.

De jure shërbimi aeroportual në vend është oligopol, aeroporti i Tiranës, Kukësit dhe Vlorës, por de facto ai është monopol, në dorë të TIA-s, menaxhuar nga Kastrati Group.  Aeroporti i Kukësit po kthehet jofunksional, lidhur kjo dhe me numrin e vogël të popullsisë në zonat e veriut dhe destinacionet e pakëta që ofron aeroporti. Nga ana tjetër tek ai i Vlorës nuk ka pasur asnjë zhvillim të ri në fazën e punimeve.

Në një situatë të tillë, TIA është përballur me rritje të fluksit të pasagjerëve si i vetmi shërbim aeroportual në vend, përkthyer kjo në fitime miliona euroshe në një periudhë të shkurtër kohore. Deri në qershor 2023 në Shqipëri hynë 6 mln pasagjerë, shumica nga rrugët ajrore. Sipas marrëveshjes të miratuar në parlament nga mazhoranca socialiste në fillim të vitit 2021, koncesionari do të marrë 10 euro taksë aeroportuale për çdo biletë apo pasagjer mbi 12 vjeç që hynte apo dilte nga ky aeroport.

Pozicioni monopolistik në një industri kaq të rëndësishme, siç është transporti ajror krijon hapësira për abuzime. Pak kohë më parë, autoriteti i Konkurrencës tha se Aeroporti po abuzon me shërbimin taksi që ofron dhe shtrembëron konkurrencën (nuk lejon taksitë e jashtme), por nuk përmendi nëse edhe aeroporti po bën të njëjtën gjë me pozitën e saj dominuese.

I njëjti autoritet vitin e shkuar hapi hetim të thelluar ndaj kompanisë Star parking Albania, që menaxhon parkimin në aeroportin e Rinasit, për shkak të dyshimeve të abuzimit me pozitën dominuese në treg.

Si taksitë ashtu edhe kompania e parkimit operojnë në territorin e aeroportit me  lejen e TIA-s, e cila qartazi lë hapësira për abuzim nga kontraktorët e saj.