zoom

Slider

Vuçiç 4 kushte të reja për t’u kthyer në dialog/ Kurti një kërkesë për ta hequr masën e targave

Mediat në Serbi shkruajnë sot se Beogradi zyrtar ka 4 kërkesa që duhet të plotësohet më mënyrë që të vazhdojë dialogu në Bruksel.

Sipas gazetës “Novosti”, përcjell “B92”, këto janë qëndrime të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, dhe se ato sipas mediave burojnë nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Kërkesa e parë është që të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, e dyta që Kosova të mos dërgojë forca të Policisë me armatim të rëndë në veri pa lejen e KFOR-it dhe miratim të asociacionit serb, e treta që të formohen dy kompani serbe për shpërndarje të rrymës për serbët në veri dhe katër, që trupat gjykues për rastet në veri të jenë në raport 2 me 1, në favor të serbëve.

Të hënën Qeveria e Kosovës vendosi masë reciprociteti, bazuar po në marrëveshjet e Brukselit, për targat. Tash e tutje veturat me targa serbe kur futen në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme RKS në çdo pikë kufitare. Kjo masë ka nxitur serbët në veri të bllokojnë rrugët që çojnë në dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak.

Në fakt, Qeveria e Serbisë ka mbi 10 vjet që aplikon këtë masë për targat. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të hënën në Kuvendin e Kosovës se vendosja e targave të Republikës së Kosovës për të gjitha automjetet me tabela të Serbisë nuk ka qenë dëshirë e tij, por imponim nga pala tjetër.

Kurti tha se ky vendim do të jetë në fuqi derisa qytetarët e Kosovës do të paguajnë për targa kur futen në Serbi.

“I lus qytetarët serbë të vazhdojnë përditshmërinë pa frikë se po iu cenohet ndonjë e drejtë. Ju jeni të barabartë me ne. Targat nuk janë dëshirë e jona por imponim nga pala tjetër. Derisa qytetarët tanë do të paguajnë për targa kur futen në Serbi, do të vazhdojnë edhe targat e përkohshme kur hyjnë në Kosovë”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Kreu i Qeverisë së Kosovës tha dje se është i gatshëm që ta heqë masën e reciprocitet për targat në rast se edhe Serbia zotohet se do ta bëjë të njëjtën kundrejt Kosovës.