zoom

Slider

Takimi me ambasadorët, Kurti: Targat i mbajnë ose i heqin si Kosova dhe Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se vendimi për reciprocitet ndaj Serbisë, sa u përket targave të automjeteve, nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt.

Kurti priti të martën në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it, përkatësisht SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë, si dhe shefin e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura, ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajnë ato lloje targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato – edhe Kosova edhe Serbia”, tha Kurti në takim.

Në deklaratën e lëshuar nga zyra e tij nuk bëhet e ditur për qëndrimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Në takim mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili tha se policët e Kosovës janë “në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë”.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.