zoom

Aktualitet

Vritet në burg në Greqi, Jani Aliaj, i dënuar përjetë për vrasjen e Elton Çiços

Vritet në burg në Greqi, Jani Aliaj, i dënuar përjetë për vrasjen e Elton Çiços

Zbardhen detaje të reja nga vrasja e shqiptarit në burgun e Koridhalos në Greqi.

Viktima është identifikuar si Jani Aliaj, 49 vjeç, me origjinë nga Tepelena, me precedentë të rëndë kriminalë, i dënuar me burgim të përjetshëm.

Ai ndodhej në paraburgim në Greqi që prej fundit të dhjetorit 2024. Ai u sulmua me thikë brenda sektorit 3 të burgut nga një i burgosur grek, gjithashtu i dënuar për vrasje. Si pasojë e plagëve të marra, Aliaj humbi jetën në vend.

Autoritetet greke kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa nuk përjashtohet pista e një atentati të organizuar, përfshirë edhe mundësinë e një vrasjeje me porosi.

Jani Aliaj ishte një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai ishte shpallur në kërkim dhe dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços, ngjarje e ndodhur më 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në një lokal të frekuentuar.

Aliaj qëlloi për vdekje Elton Çiços përpara klientëve të tjerë. Sipas hetimeve, motive të vrasjes ishin hakmarrjeja dhe përplasjet e mëparshme mes palëve. Çiço ndërroi jetë në vend, ndërsa Aliaj u largua menjëherë nga Shqipëria.

Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe qëndroi për disa vite i fshehur jashtë Shqipërisë. Aliaj u arrestua në Greqi, ku jetonte me identitet të rremë dhe dokumente të falsifikuara.

Po ashtu, ai kërkohej edhe për një tjetër episod kriminal në Përmet në vitin 2015, ku një tentativë grabitjeje droge përfundoi me persona të plagosur, çështje për të cilën rëndonin disa akuza.

Në Greqi, Aliaj rezultonte i dënuar përjetë për një vrasje të ndodhur në Athinë në vitin 2006, si dhe për plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Ai kishte arritur të arratisej nga burgu i Korfuzit, por u arrestua sërish më 31 dhjetor 2024, duke përdorur një identitet të rremë, Aleksan Kreshnik.

Autori i vrasjes së 49-vjeçarit Jani Aliaj rezulton të jetë një 28-vjeçar grek, i konsideruar vrasës me pagesë.

Më 18 gusht 2025 ai ekzekutoi edhe 47-vjeçarin nga Gjirokastra, Artur Bashimi.

Policia greke dyshon se vrasja e Jani Aliajt është e porositur nga jashtë burgut./ Zoom.al

Postime të lidhura