Aplikacion
Gjykata shpalli fajtor Qëndrim Januzin, vëllanë e reperit kosovar “Buta”, për vrasje të rëndë dhe është dënuar me 17 vjet burgim.
Verdikti është marrë sot nga një trup gjykues në Gjykatën Themelore në Ferizaj, raportojnë mediat e Kosovës.

Sipas akt-gjykimit të lexuar nga gjyqtari Habib Zeqiri, Januzit iu shqiptua një dënim unik prej 17 viteve burgim: 16 vite për vrasje të rëndë dhe një vit për armëmbajtje pa leje. Të njëjtit i është konfiskuar arma në mënyrë të përhershme.

Vëllai i reperit Betim Januzi – ‘Buta’ (foto poshtë), akuzohet nga Prokuroria në Ferizaj për vrasjen e Gazmend Hysenit, shokut të tij, të cilin dyshohet se e ka qëlluar me gjashtë plumba, më 28 maj të vitit 2022.

I akuzuari nuk e kishte mohuar vrasjen, por nuk ishte pajtuar me cilësimin juridik që i kishte bërë Prokuroria. I akuzuari Qëndrim Januzi ndodhet në paraburgim që nga ndodhja e ngjarjes, me kërkesë të Prokurorisë.