zoom

Aktualitet

Vrasja e nxënësit të Profesionales pas sherrit në rrjetet sociale, kërkohet burg për 2 kushërinjtë

Prokuroria e Fierit ka dërguar aktet e dosjes penale në Gjykatë dhe kërkon masën “arrest në burg” për autorin kryesor të dyshuar, Florjan Mukën, 18 vjeç dhe kushëririn e tij të parë, Klajdi Mukën, 17 vjeç, të cilët akuzohen për vrasjen e Grei Bihucit.

Ngjarja ndodhi më 11 mars, në qendër të Fierit, bulevardi “Jakov Xoxa”, teksa pas një sherri në rrjetet sociale me motive të dobëta, fyerje të ndërsjellta, të dyshuarit i zunë pritë dhe vranë me thikë nxënësin e shkollës Profesionale “Petro Sota”, që ndiqte vitin e dytë për TIK.

Në njoftimin zyrtar konfirmohet kërkesa për masën e sigurisë, që pritet të mbahet sot, me akuzat “vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “prodhimi, blerja apo shitja e armëve të ftohta”.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në bashkëpunim me policinë gjyqësore, bënë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 11.03.2024, në qendër të qytetit të Fierit, përballë Bar restorant “Piazza”, ku rreth orës 11.30, shtetasit F.M dhe K.M në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me një mjet të mprehtë (thikë) shtetasin G.B, ku si pasojë e plagëve humbi jetën.

Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier regjistroi në datën 11.03.2024 çështjen penale nr. 382, për dy veprat penale, të parashikuara nga nenet 78/1- 25 dhe 279/2 të Kodit Penal”, thuhet në dosjen e akuzës.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për një hetim të plotë dhe gjithanshëm të kësaj ngjarjeje, me qëllim hetimin e thelluar të motivit, shkaqeve apo përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje të rëndë.

Krimi shkaktoi shumë indinjatë qytetare, me tubime dhe protesta, duke e dënuar aktin, teksa viktima u përshkrua edhe si një person i qetë, jo problematik dhe që i duhej të punonte si kamerier për të mbajtur familjen. /ZOOM.AL/