zoom

Aktualitet

Vrasja e Bledar Muçës/ Mediat belge: Autorët, profesionistë

39-vjeçari Bledar Muça do të qëllohej për vdekje të shtunën, në Anverse të Belgjikës.

Ishte ora 23:00, kur makina e tij u duk në zonën e Baron Van Ertbornstraat. Dy persona të armatosur hapën breshëri armësh drejt tij, duke e lënë të vdekur në vend. Autorët më pas u larguan me makinë në drejtim të paditur.

Sakaq, mediat sjellin në vëmendje kombësinë britanike të Muçës. Prokuroria belge ka menduar paraprakisht se i ndjeri ishte shtetas anglez dhe ngjarjen e ka referuar me këtë kombësi. Por atij i është gjetur gjithashtu edhe një pasaportë e falsifikuar bullgare. Vetëm pas marrjes së gjurmëve të gishtërinjve dhe verifikimeve më të imtësishme rezultoi se viktima ishte Bledar Muça.

Bledar Muça është një emër i njohur në qarqet gjyqësore shqiptare dhe ka qenë i përfshirë në shumë aktivitete kriminale në qytetin e Elbasanit. Aty njihej për lidhjet e ngushta me klanin Çapja dhe konsiderohej krahu i djathtë i Ardjan dhe Florenc Çapjas. Çapjat janë të lidhur me vrasjen e dyfishtë të Nezir Beqirit dhe djalit të tij Gentian në vitin 2012.

Në verën e vitit 2016, Muça u arrestua dhe u dënua me dy vjet burg, pasi qëlloi me armë zjarri ndaj punonjësve të policisë. Ai është filmuar nga kamerat e sigurisë që e kanë kapur duke qëlluar ndaj efektivëve.

Në shkurt dhe korrik 2016, Bledar Muça ishte objektiv i dy atentateve në Elbasan. Në një nga këto sulme mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën vëllai i tij Ferit Muça (42) dhe vëllezërit Ardjan dhe Florenc Çapja. Në atentatin tjetër mbeti i plagosur Bledar Muça dhe Florenc Çapja shpëtoi. Ky i fundit u arrestua në Dubai në pranverën e vitit 2021.

Ekzekutimi i Muçës në Aartselaar të kujton edhe luftën e drogës në Bruksel, e cila u ekspozua pjesërisht nga Operacioni Sky. U zbulua një konflikt për territor midis dy klaneve që rezultoi në të paktën 8 zona, si në Belgjikë ashtu edhe në Shqipëri. Në Molenbeek, një 38-vjeçar u ekzekutua me tetë plumba në nëntor 2020, megjithëse kjo vrasje nuk do të kishte asnjë lidhje me këtë klan mafioz.

Bledar Muça ishte një nga të dyshuarit për vrasjen e vëllezërve Roland dhe Ilir Rexhepi në Elbasan. Dy vite më parë Muça ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e ish-policit Ilir “Doda” Rexhepi në vitin 2009, vëllai i tij Roland Rexhepi u vra në dhjetor të 2011-ës.

Ndërkaq, mediat belge shkruajnë se Muça njihej nga të gjithë me epitetin “hajduti i vogël”. Ai dyshohet se ka bjedhur një dyqan në Schoten. Ata kanë arritur të marrin aksesorë celularësh, çelësa të ndryshme të fshehura nën rroba. Për këtë krim ata u dënuan me katër muaj burg në mungesë.

Departamenti Federal i Hetimeve Kriminale të Antwerpit përballet me detyrën e ndërlikuar të gjurmimit të autorëve të vrasjes në Aartselaar. Ekzekutimet si ai i Bled Muçës zakonisht u besohen vrasësve profesionistë. Hyjnë në vend, bëjnë punën dhe ikin sërish.

Konfliktet në mjedisin e drogës janë shpesh shkaku i zgjidhjeve të tilla. Nëse kjo vlen edhe për atentatin e Bledar Muçës në Aartselaar, hetimi do të duhet ta tregojë.