zoom

Aktualitet

Në Shqipëri pjesë e një klani mafioz, në Belgjikë hajdut supermarketesh

Bledar Muça, i ekzekutuar 3 ditë më parë, në Shqipëri njihej si pjesë e një klani mafioz, por në Belgjikë kishte një tjetër profil krimineli, si hajdut në supermarkete. Ai është dënuar me 4 muaj burg në mungesë në dhjetor të 2018 pasi së bashku me tre persona të tjerë, kishin vjedhur një supermarket Carrefour në Schoten, një qytet tjetër në periferi të Antwerp-it. Muça në bashkëpunim me shokët kishin marrë celulare, çelësa, priza, llamba dhe një kuti me prezervativë të fshehur nën rroba që kapnin shumën prej 600 eurosh.

Si ndodhi vrasja?
Bledar Muça është mbajtur në vëzhgim nga autorët, të cilët kanë pritur momentin kur ai po kthehej në mbrëmje rreth orës 23:00 të së shtunës për ta qëlluar, përpara banesës së tij, të pa shqetësuar dhjetra metra më tutje ishte Komisariati i Policisë. Nga sa mësohet, referuar mediave vendase, autorët e kanë qëlluar nga një distancë e afërt duke e lënë të vdekur në vend. Prokurori i Antwerp, Kristof Aerts shprehet se deri në këtë fazë të hetimit, të gjitha provat çojnë se bëhet fjalë për një atentat të mirëorganizuar. Ai njihej në lagje si “anglezi” për shkak se ishte i pajisur një pasaportë britanike, e ndërsa dëshmitarë të kësaj skene krimi kanë qenë edhe fqinjët, që tregojnë se janë tmerruar për shkak të të shtënave që dëgjuan. Madje një prej tyre, ka rrëfyer se ka parë një prej autorëve teksa largohej me armën në dorë. Muçës i është gjetur edhe një pasaportë tjetër bullgare me identitet tjetër. Është dashur identifikimi me gjurmë gishtërinjsh për të zbuluar se viktima është shqiptari Bledar Muça.