Aplikacion
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në aksin rrugor Thumanë–Krujë, ku 57-vjeçari Petrit Ndou humbi jetën pas një konflikti mes drejtuesve të automjeteve. Përveç autorit, policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, janë vënë në pranga tre shtetas.
I arrestuar për veprën penale “Vrasja me dashje” është shtetasi Andri Vokrri, 28 vjeç, banues në Fushë-Krujë. Ndërsa shtetasit Lorenc Goga 26 vjeç dhe Fation Kulla, 23 vjeç janë arrestuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi kanë qenë të pranishëm gjatë konfliktit. Ata janë shokët e autorit.
Nga hetimet ka rezultuar se rreth orës 01:00 të datës 20 janar 2026, në afërsi të urës së Bushneshit, tre të rinjtë, të cilët po lëviznin me një automjet, janë përfshirë në një konflikt verbal me shtetasin P. N., 57 vjeç, i cili qarkullonte me mjetin e tij.
Gjatë përshkallëzimit të konfliktit, shtetasi Andri Vokrri ka goditur 57-vjeçarin me sende të forta, duke i shkaktuar humbjen e jetës. Pas ngjarjes, dy shtetasit e tjerë janë larguar nga vendi i ngjarjes pa njoftuar autoritetet.
Në dëshminë e tij të dhënë në polici, i riu tha se nuk donte ta vriste dhe se situata i doli jashtë kontrollit.