zoom

Aktualitet

Vila luksoze në Kep Merli/ Dua Lipa bie pre e mashtrimit të oligarkëve

Vila luksoze në Kep Merli/ Dua Lipa bie pre e mashtrimit të oligarkëve

Avokati Arben Llangozi ka publikuar një denoncim të fortë, ku tregon se edhe këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, është bërë viktimë e mashtrimeve të oligarkëve shqiptarë.

Sipas Llangozit, artistja kishte shprehur interes për të blerë një vilë luksoze në zonën e Kep Merlit, Ksamil, një prej destinacioneve më të lakmuara të rivierës shqiptare. Një biznesmen i lidhur me qeverinë i ofroi asaj një pronë me “dokumenta të rregullta” dhe investim të sigurt. Por, në vend të një vile të ligjshme, Dua Lipa mori vetëm një projekt 3D, ndërsa më pas u ngrit një objekt pa leje, i cili sot ndodhet në proces legalizimi.

“Ky është një skandal që tregon arrogancën e oligarkëve shqiptarë, të cilët nuk kursejnë as qytetarët e thjeshtë, as biznesmenët, dhe tashmë as një yll botëror që ngre flamurin kuqezi në çdo skenë ndërkombëtare,” shkruan avokati Llangozi.

Ai thekson se legalizimi në Shqipëri shpesh përdoret si mekanizëm për pastrim parash dhe ndarje të pronave të grabitura. Sipas tij, fakti që një artiste e njohur globalisht ka rënë pre e një mashtrimi të tillë, është tregues i gjendjes alarmante ku ndodhet sistemi ligjor dhe shteti shqiptar.

“Në vend që Shqipëria të ishte krenare që një emër si Dua Lipa investon në atdhe, oligarkët e qeverisë e trajtojnë si ‘klientin e radhës’ për t’u mashtruar. Në çdo vend normal kjo do të trondiste qeverinë, por këtu mbretëron heshtja,” shprehet Llangozi.

Sipas tij, ky rast nuk është i izoluar, por pasqyron kulturën e korrupsionit që ka mbërthyer Shqipërinë, ku ligji shërben më shumë për të justifikuar grabitjen sesa për të mbrojtur qytetarët. Zoom.al/

Postime të lidhura