zoom

Aktualitet

Vidhet gjimnazi “Babë Dudë Karbunara”, hajdutët thyejnë xhamin e dritares dhe grabisin 20 IPode

Pre e grabitësve ka rënë mbrëmjen e sotme gjimazi “Babë Dudë Karbunara” në qendër të qytetit të Beratit.

Mësohet se hajdutët kanë thyer xhamin e dritares së katit të dytë të ndërtesës dhe pasi kanë marrë 20 IPode (tableta) që ndodheshin në një tip kasaforte janë larguar ne vrap.

Ata janë pikasur nga roja e shkollës, i cili ka njoftuar policinë.

Shkolla tashmë është nën mbikëqyrjen e policisë dhe pritet mbërritja e ekspertëve kriminalistik që do kryejnë këqyrjen e vendit të ngjarjes.

Gjimazi Babë Dudë Karbunara ishte duke u boshatisur prej disa ditësh pasi do të shembet për tu rindërtuar nga e para.

Mësohet se shumica e materialeve të shkollës janë hequr, ndërkohë që kasaforta do të largohej ditën e nesërme me vinç, për arsye të peshës së saj.

Dyshimet e para lidhen me faktin se hajdutët kanë qënë të mirëinformuar për heqjen e kasafortës dhe kanë ndërmarrë vjedhjen mbrëmjen e sotme.

Në Komisariatin e Policisë së Beratit është shoqëruar për të dhënë deklaratat e tij roja i shkollës, ndërkohë që po punohet për zbardhjen e ngjarjes si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit (autorëve) të vjedhjes.