Aplikacion
Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në futbollin tonë, ditën e djeshme (përpos vdekjes së sulmuesit Raphael Dwamena. Një arbitër futbolli ka rrezikuar seriozisht jetën në stadiumin e Fierit, ku është goditur në kokë me sende të forta.
Gjyqtari fushë-krujas Blerim Ziri ka rënë pa ndjenja në tokë, pasi stoli plastik i stadiumit, i hedhur nga një tifoz aty pranë, e ka goditur pas kokës. Ky incident i rëndë ndodhi në Stadiumin “Loni Papuçiu”, ku po zhvillohej ndeshja e Kategorisë së Parë, Apolonia-Vora 2-1.
Sikurse duket edhe në video, Blerim Ziri ishte arbitër i katërt dhe në momentin e goditjes gjendej mes dy stolave të dy skuadrave, aty ku e ka të përcaktuar me rregullore. Tifozët nuk u mjaftuan me kaq, edhe pse i rrezikuan jetën arbitrit të katërt, tentuan të hyjnë në fushë.
Pasi shkatërruan hekurat e rrethimit të fushës, u ndeshën me forcat e policisë, që nxituan me shpejtësi për të mos agravuar situata. Fillimisht ishte FK Apolonia ajo që reagoi zyrtarisht:
“Në ndeshjen e luajtur sot në Stadiumin “Loni Papuçiu” tifozët e FK Vora kanë goditur albitrin e katërt, Blerim Ziri, me stol, i cili humbi dhe ndjenjat për disa momente. Ai mori ndihmën e parë nga stafi mjekësorë dhe pankina e FK Apolonia. Tifozat e FK Vora hodhën stola në fushë, shqyhen rrethimin dhe hynë në fushë. Apolonia edhe pse me 10 lojtarë në fushë luajti shumë mirë dhe arriti të fitonte ndeshjen.”
Më pas, FK Vora reagoi gjithashtu për atë që ndodhi në Fier, përmes kësaj komunikate zyrtare:
“Dëshirojmë të njoftojmë opinionin publik për ngjarjet e ndodhura në ndeshjen me FK Apolonia, e luajtur ditën e shtunë (11.11.2023) në stadiumin ‘Loni Papuciu’, në kuadër të javës së 11-të të Kategorisë së Parë. Në përgjigje të reagimit të publikuar nga skuadra e FK Apolonia për ndeshjen e zhvilluar, theksojmë se kryesia dhe i gjithë stafi i klubit tonë Vora distancohet dhe i dënon veprimet e tilla, ku lojtarët, stafi teknik dhe arbitrat ofendohen apo sulmohen në ndeshjet futbollistike në vendin tonë.
Qëndrimi apo reagimi juaj në disa raste nuk është i saktë për atë që ndodhi, sepse stadiumi i Apolonisë nuk i plotëson të gjithë kushtet e nevojshme për sigurimin e lojtarëve, stafit, drejtuesve dhe të tifozëve sipas rregullave të FSHF, kishte mungesë të theksuar sigurie.
Sa i përket arbitrit të katërt, Blerim Ziri, i goditur me stol në fundin e ndeshjes, stoli erdhi nga tribuna kryesore dhe jo nga sektori mik. Ftojmë klubin FK Apolonia që të jetë më konstruktiv në deklaratën që ka bërë.”/ Zoom.al