Aplikacion
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar sot pezullimin e vizave të emigrantëve për 75 shtete, mes të cilave përfshihen edhe Shqipëria dhe Kosova. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 21 janar dhe pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme për qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara.
Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar përmes një komunikimi zyrtar në rrjetet sociale, duke sqaruar se cilët shtetas shqiptarë mund të vazhdojnë të udhëtojnë dhe për çfarë qëllimesh lejohet përdorimi i vizës amerikane.
Sipas ambasadës, qytetarët shqiptarë që janë tashmë të pajisur me vizë vizitori B1/B2 mund të hyjnë në SHBA vetëm për qëllime të përkohshme, si turizmi, pushimet, blerjet, vizitat tek familjarët apo miqtë, si edhe për takime apo aktivitete biznesi që nuk përfshijnë pagesë nga një ent amerikan. Po ashtu, lejohet pjesëmarrja në konferenca apo konventa profesionale.
Nga ana tjetër, autoritetet amerikane theksojnë se përdorimi i vizës së vizitorit për qëllime të tjera është i ndaluar. Nuk lejohet udhëtimi për lindjen e fëmijës me synimin e marrjes së shtetësisë amerikane, studimet për diploma apo kredite akademike, si dhe punësimi ose çdo aktivitet që sjell përfitim financiar nga një punëdhënës amerikan.
Ambasada rikujton se respektimi i kushteve të vizës është përgjegjësi personale e çdo udhëtari dhe çdo shkelje mund të sjellë pasoja ligjore, përfshirë ndalimin e hyrjes në SHBA në të ardhmen.
