zoom

Aktualitet

Vdekja e Dwamena, Shakohoxha akuza: Zoti ju dënoftë more vrasës

Vdekja e Dwamena, Shakohoxha akuza: Zoti ju dënoftë more vrasës

Dritan Shakohoxha ka reaguar ashpër për vdekjen e futbollistit ganez Raphael Dwamena, ngjarje tragjike që tronditi botën e futbollit.

Komentatori sportiv ka hedhur akuza të forta duke i quajtur “vrasës” ata që lejuan të riun të luante si futbollist profesional në fushën e blertë, ndërkohë që mjekët i kishin kërkuar që të hiqte dorë nga loja për shkak të probleme me zemrën.

Shakohoxha, në reagimin e tij shkruan se 28-vjeçari nuk duhej që të kthehej në fushat e lojës.

“U prehsh ne paqe more djale 🙏🙏🙏. Zoti ju denofte more vrases 😡😡😡. Kudo bote nuk e lejuan te luante …ketu e lane 😡😡😡”, shprehet postimin e tij në Instagram Dritan Shakohoxha.

28-vjeçari u shemb në fushë ndërkohë që po luhej ndeshja Egnatia-Partizani, në vetëm 24 minuta lojë.

Ai u nis drejt spitalit me ambulancë, por nuk arriti të mbijetonte duke humbur jetën.

Mjeku i urgjencës në spitalin e Kavajës, Riza Lala tregoi për mediat se kur kapiteni i Egnatias mbërriti në urgjencë, ai i kishte humbur të gjithë parametrat jetësorë dhe nuk kishte më asgjë që mund të bëhej për rikthimin e tij në jetë.

“Erdhi pa parametra jetësorë, pa tension, pa frymëmarrje, pa aktivitet kardiak. Erdhi rretj orës 2:10 minuta. Ne u lajmëruam nga ekipi shëndetësor i Rrogozhinës rreth orës 2 pa disa minuta. Ishin marrë të gjitha masat sepse e dinim që do na vinte rasti. Nuk kishte më shpresa, ishte i pashpresë. I bëmë masazhin kardiak, frymëmarrjen, reaminimin”, tha Riza Lala.

Raphael Dwamena kishte probleme me zemrën. Në janar 2020, pas disa problemeve në fushë, sulmuesi iu nënshtrua një operacioni në Zaragoza dhe një pajisje iu instalua në zemër dhe ai nuk mund të luante për gati tre vjet. Mjekët i rekomanduan të mos luante më por ai insistoi ta bënte këtë.

 

Çfarë thoshte ai në fillim të këtij viti:

“U shokova. Luaja në atë kohë te Zyrih dhe kisha të gjithë mjekët aty. U detyrova të kthehesha në shtëpinë time dhe të bëja disa teste mjekësore. Të gjitha këto janë pjesë e sfidave dhe më është dashur të pajtohem me to. Në fillim më vendosën një pajisje që monitoronte rrahjet e zemrës, bëhet fjalë për një sinjal që të godet dhe të tregon gjendjen e zemrës, ajo ishte gjëja më e rëndë që më ndodhi, por unë nuk jam rrëzuar asnjëherë në fushë apo të humbas ndjenjat. Familja ime është në Gana dhe sigurisht ishte e vështirë për ta kur dëgjonin lajme të ndryshme. Unë kisha kohë që isha nën monitorimin e mjekëve dhe më kishin siguruar.

Më pas më pyetën nëse isha në gjendje të mirë për të luajtur dhe unë thashë “Po”. Ndërkohë doktorë nga klube të ndryshme apo institucione të ndryshme shpreheshin shpesh se unë nuk duhet të luaja më. Por unë edhe një herë i thashë, “e respektoj vendimin tuaj, por duhet të marr një vendim”. Nuk kam aspak frikë se Zoti është me mua. Kur erdha këtu tek Egnatia, bëra disa teste mjekësore dhe gjithçka ishte mirë. Unë asnjëherë s’e lashë futbollin luaja në mënyrë të vazhdueshme.

Ndoshta për njerëzit normal ka shumë gjëra të pamundura, por për Zotin s’ka gjëra të pamundura. Ai më ka qëndruar pranë gjithmonë dhe unë asnjëherë se kam diskutuar nëse do të luaja apo jo futboll. Zoti ka qenë gjithmonë aty për mua dhe unë kam shumë besim te Ai.”

Në vitin 2022, Dwamena u intervistua nga ‘Neue Zürcher Zeitung’ e Zurihut dhe e bëri të qartë pozicionin e tij për problemet e tij shëndetësore dhe futbollin: “Nëse unë vdes, ky është vullneti i Zotit. Unë jam larguar dhe kaq. I harruar. Njerëzit do të jenë të trishtuar për disa orë, ose ndoshta edhe disa javë. Por ata do ta kalojnë atë dhe do të vazhdojnë. Unë nuk e jetoj jetën time për t’i kënaqur njerëzit. Vetëm Zotin”, thoshte Dwamena.

Anulimi i aktiviteteve sportive

Federata Shqiptare e Futbollit anuloi të gjitha aktivitetet sportive, pas kësaj ngjarjeje të rëndë.

Pas kësaj tragjedie, i gjithë ekipi i Egnatias la fushën e blertë dhe u zhvendos në spitalin e Kavajës.

Në videot më poshtë duken shokët e tij të skuadrës, të hidhëruar për ndarjen nga jeta të Dwamenës. Disa prej tyre janë me lot në sy, të shokuar nga lajmi.