zoom

Aktualitet

Ulje temperaturash dhe ngrica, parashikimi i motit për ditën e diel

Ulje temperaturash dhe ngrica, parashikimi i motit për ditën e diel

Ditën e diel, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Moti parashikohet të nisë me vranësira mesatare deri të dendura, ndërsa nga orët e mesditës priten kthjellime të herëpashershme të alternuara me vranësira kalimtare.

Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme, me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar, në pjesën më të madhe të territorit që nga orët e para të 24-orëshit deri në mëngjes. Gradualisht, pas orëve të mëngjesit, reshjet humbasin intensitet dhe shtrirje, duke mbetur kryesisht në zonat juglindore me intensitet të ulët.

Në zonën e Alpeve dhe verilindje, në lartësitë mbi 100 metra, si dhe në juglindje mbi 200–300 metra, priten reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar. Në pjesën tjetër të vendit, reshjet e borës do të jenë lokale dhe me intensitet të dobët. Pas orëve të pasdites, reshjet e shiut dhe dëborës do të ndërpriten në të gjithë territorin. Në disa zona do të ketë mjegull dhe mjegullinë, duke sjellë shikim të reduktuar, veçanërisht gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes.

Era do të fryjë nga drejtimi veriperëndim–verilindje me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore pritet të përforcohet, duke arritur deri në 18 m/s. Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon do të jetë i forcës 4–6 ballë.

Këshilla: Qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit, sidomos në zonat me mjegull dhe shikim të kufizuar, si dhe në akset malore ku mund të ketë reshje bore. Drejtuesit e mjeteve duhet të përdorin goma dimërore dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore, ndërsa peshkatarët dhe mjetet e vogla lundruese të shmangin daljen në det për shkak të valëzimit të përforcuar./ Zoom.al

Postime të lidhura