zoom

Lajme

U shpall non grata nga SHBA, ish-zv.kryeministri shqiptar: Do ta zbardh plotësisht këtë çështje

Ish-zv.kryeministri shqiptar i RMV-së, Artan Grubi ka reaguar pasi u fut në listën e zezë të SHBA-ve për korrupsion.

Ai shkruan se jetën e tij ia ka kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike, duke shtuar se gjithmonë ka punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian.

Artan Grubi theksoi se ky vendim e prek personalisht dhe do të angazohet me përkushtim për të zbardhur plotësisht këtë çështje.

“Në mungesë të informacionit të detajuar, u njoha nga mediat për vendimin e sotëm të Departamentit të Shtetit. Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht.

Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe punuar ndër vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”, ka shkruar Grubi.

Postime të lidhura