zoom

Bota

Trump flet për marrëveshje, Teherani e mohon

Trump flet për marrëveshje, Teherani e mohon

Presidenti amerikan Donald Trump thotë se negociatat për t’i dhënë fund luftës me Iranin janë duke u zhvilluar dhe se Teherani po përgjigjet mirë.

Nga Shtëpia e Bardhë ai bëri të ditur se në bisedime janë të përfshirë zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Rubio dhe negociatorët për Lindjen e Mesme, Witkoff dhe Kushner.

“Ata po flasin me ne dhe po flasin me logjikë. Dhe mos harroni, gjithçka fillon me faktin se ata nuk mund të kenë armë bërthamore. Nuk dua ta them paraprakisht, por ata kanë pranuar se nuk do të kenë kurrë një armë bërthamore. Kanë rënë dakord për këtë”, tha presidenti amerikan.

Trump foli gjithashtu për një gjest vullneti të mirë nga iranianët, që e përshkroi si një dhuratë shumë të çmuar ndaj SHBA-ve. Ai nuk tregoi se për çfarë bëhej fjalë, por nënkuptoi se lidhej me Ngushticën e Hormuzit.

Komentet e Trump-it vijnë mes raporteve të mediave se Pentagoni do të dërgojë në Lindjen e Mesme mijëra ushtarë nga Divizioni i 82-të Ajror i elitës së Ushtrisë Amerikane.

Deri më tani, zyrtarët iranianë po e mohojnë pretendimin e Trump për negociata edhe në prapaskenë, megjithëse kanë konfirmuar se Uashingtoni ka dërguar mesazhe dhe propozime.

Madje, Garda Revolucionare i është përgjigjur presidentit Trump me një deklaratë tallëse.

“Hej Trump, je i pushuar nga puna! E njeh këtë fjali. Faleminderit për vëmendjen tënde ndaj kësaj çështjeje,” u shpreh zëdhënësi i Gardës Revolucionare, Ebrahim Zolfaqari.

Në bisedime nuk është përfshirë Izraeli, i cili po vëzhgon me kujdes çdo lëvizje.

Por ndërkohë, pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës, intensiteti i sulmeve nuk pati rënie të dukshme këtë të martë, në ditën e 25-të.

Teherani lëshoi valë të njëpasnjëshme raketash drejt Izraelit, duke shkaktuar dëme të rënda në ndërtesa banimi në Tel Aviv.

Nga ana tjetër, Izraeli u përgjigj menjëherë me një valë të gjerë sulmesh ajrore në zemër të Teheranit. Raketat izraelite goditën qendrat e inteligjencës së Gardës Revolucionare dhe infrastrukturën ushtarake në Iranin Perëndimor.

Paralelisht, sulmet izraelite vazhduan edhe në jug të Bejrutit, kundër forcave pro-iraniane të Hezbollahut.

Postime të lidhura