Aplikacion
Një aksident i rëndë ka tronditur Italinë këtë të enjte, pasi një nga kabinat e teleferikut në malin Faito u shkëput dhe ra në tokë, duke i marrë jetën katër personave.
Shoferi i kabinës rezulton ende i zhdukur, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë përpjekjet intensive për ta gjetur.
Ngjarja ndodhi në orët e pasdites, kur teleferiku që lidh qytetin bregdetar Castellammare di Stabia me malin Faito, një nga destinacionet më të njohura turistike të rajonit Campania, pësoi një defekt fatal. Sipas të dhënave paraprake, kablloja tërheqëse u këput, duke bërë që kabina të përplasej me forcë në tokë, vetëm pak metra larg stacionit përfundimtar.
Në një kabinë tjetër, që ndodhej më poshtë në linjë, ishin 16 pasagjerë, kryesisht turistë të huaj. Fatmirësisht, ajo kabinë mbeti pezull pranë stacionit të nisjes dhe të gjithë personat në bord u shpëtuan me sukses nga ekipet e emergjencës. Aksioni i shpëtimit u zhvillua me kujdes të madh dhe në kushte të vështira, për shkak të lartësisë dhe motit të paqëndrueshëm.
Ndërkohë, një tjetër kabinë e mbetur pezull në pjesën e sipërme të linjës është ende e paarritshme. Brenda saj dyshohet se ndodhen katër pasagjerë dhe një operator. Pamundësia për të vendosur kontakt radio me ta, si dhe mjegulla e dendur që ka mbuluar zonën, po e vështirësojnë ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.
Për shkak të shkëputjes së kabllos, një pjesë e saj ka rënë mbi linjën hekurudhore Circumvesuviana, e cila kalon nën linjën e teleferikut. Si pasojë, trafiku hekurudhor është ndërprerë dhe janë vendosur autobusë zëvendësues për udhëtarët.
Teleferiku i Monte Faitos kishte rifilluar aktivitetin më 10 prill, pas një ndërprerjeje sezonale, dhe vetëm këtë vit ishte përdorur nga mbi 113 mijë persona. Linja është e njohur për pamjet spektakolare që ofron mbi Gjirin e Napolit dhe majat përreth.