zoom

Aktualitet

Trafik dhe shitje droge deri në shkolla, 5 të arrestuar në Lezhë. Kokainë e fara kanabisi (EMRAT)

Trafikimi dhe shitja e lëndëve narkotike apo kultivimi i tyre ka çuar sot në goditjen e 3 rasteve të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve në Lezhë.

Burime zyrtare thanë se në pranga ranë pesë persona dhe ata janë identifikuar si; Fatjon Canga, Erbardh Gjeloshi, Xhovano Ivanaj, Aldo Dodaj, si dhe Kristjan Bazol.

“Sekuestrohen 2450 fara cannabisi, sasi kokaine, sasi cannabisi dhe pajisje për përpunimin e lëndëve narkotike. Vihen në pranga 5 shtetas. Si rezultat i punës së vazhdueshme policore dhe hetimore që po kryhet në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Tempulli 2”, me objektiv parandalimin, konstatimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin të bimëve narkotike, si dhe të rasteve të shitjes në sasi dhe/ose doza të lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave dhe në ambiente të ndryshme, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Lezhë, të mbështetur nga informacionet nga inteligjenca policore, goditën 3 raste në këto fusha”, tha policia vendore.

Dhe më tej sqaron detajet:

“Pas shkëmbimit të informacionit me Policinë e Shkodrës dhe koordinimit të punës me të, u arrestuan në flagrancë, në qytetin e Lezhës, shtetasit F. C., 36 vjeç, Gj. I., 34 vjeç dhe E. Gj., 39 vjeç, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë implikuar në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Nga kontrollet fizike dhe në banesa, këtyre shtetasve iu gjetën 2450 fara cannabisi, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, një grirëse për lëndën narkotike dhe 3 celularë”.

Por në bashkëpunim me specialistët e qarkullimit rrugor, u arrestua në flagrancë më pas edhe shtetasi A. D., 23 vjeç, banues në Lezhë, pasi gjatë kontrolli fizik, iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza, dyshohet me qëllim shitjen në afërsi të shkollave dhe K. B., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në doza, dyshohet me qëllim shitjen në afërsi të shkollave, theksuan burimet.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/