zoom

Aktualitet

Goditet baza e shitjes së kokainës dhe heroinës në shkolla, arrestohen babë e bir në Lushnjë

Një tjetër bazë e shitjes së drogës në shkolla u godit nga policia ditën e sotme. Dhe këtë herë autorë të dyshuar janë anëtarë të së njëjtës familje.

Babë e bir kanë rënë në prangat e policisë së Lushnjës, pasi akuzohen për shitje droge në zona të ndryshme të qytetit. Burime zyrtare bënë me dije se pas hekurave ranë shtetasi me inicialet I. B., 61 vjeç, dhe djali i tij, shtetasi V. B., 32 vjeç, të dy banues në Lushnjë, në kuadër të operacionit të koduar “Tempulli”.

“Siguronin droga të forta, kokainë dhe heroinë, i përpunonin dhe i ndanin në doza në banesë, me qëllim shitjen në afërsi të shkollave, në lokale dhe ambiente të ndryshme, vihen pranga babë e bir. Sekuestrohen 420 doza heroine, 77 doza kokaine, një sasi lënde e dyshuar si përzierës i lëndëve narkotike, 2 peshore elektronike, vlerë monetare që dyshohet të jetë përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe 3 celularë”, tha policia vendore.

Shërbimet e Komisariatit morën informacione të siguruara në rrugë operative, se në lagjen “Skënder Libohova”, organizohej veprimtaria kriminale e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Menjëherë kanë organizuar punën për goditjen e kësaj veprimtarie.

“Në vijim të veprimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier u bë i mundur arrestimi i dy shtetasve të mësipërm, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizonin punën për pregatitjen dhe shitjen e lëndëve narkotike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dozat e lëndës narkotike, 2 peshore elektronike, vlera monetare dhe 3 celularë. Vijon puna nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave te tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, tha policia. /ZOOM.AL/