zoom

Aktualitet

Shpërndante drogë me motor në Lezhë, kapet në ndjekje 19-vjeçari. Tentoi arratisjen (Emri)

Policia e Lezhës njoftoi sot se lokalizoi dhe arrestoi një 19-vjeçar, që me një motomjet pa targa shpërndante lëndë narkotike. Në pranga ka rënë shtetasi Eraldo Ndreca.

Burime zyrtare sqaruan se i dyshuari nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe tentoi të largohej me motomjetin që e drejtonte pa leje drejtimi, duke rritur dyshimet se ishte shpërndarës narkotikësh.

Ndërhyrja u bë në kuadër të operacionit “Tempulli”. U sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, që iu gjet këtij shtetasi, gjatë kontrollit fizik, si dhe motomjeti pa targa, të cilin ky shtetas e përdorte për këtë veprimtari kriminale.

“Në vijim të kontrolleve që kryhen në të gjithë territorin e qarkut, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Tempulli 2”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në aksin rrugor Lezhë-Milot, i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të një motomjeti, i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por ka vazhduar me shpejtësi lëvizjen në drejtim të qytetit të Lezhës.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, drejtuesi i automjetit, shtetasi E. N., është kapur dhe vënë në pranga. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen në doza”, thanë burime zyrtare.

Ndaj të riut u ngritën akuzat “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Kurse materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/