zoom

Aktualitet

Kush është efektivi me nofkën “Visi i pazarit”, lidhjet me Sulejmanin. Përgjimet e fundosën (Foto)

Detaje të reja nga aksioni i Policisë së Tiranës ndaj grupit të trafikut të kokainës dhe arrestimi i efektivit të Operacionales, i thirrur edhe si “Visi i pazarit”.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore konfirmoi sot se ka arrestuar efektivin e Forcave Operacionale, Ervis Shkurta, pasi ky i fundit dyshohet se ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike, nga tre të rinj që u arrestuan me rreth 1 kg kokainë, mes të cilëve i plagosuri në aksion Enea Sulejmani, njëkohësisht kreu i Transportit Ndërqytetas.

Në aksionin e mbrëmjes së të enjtes, ku Antidroga e Tiranës arrestoi 3 të rinjtë, 38-vjeçari Shkurta ishte afër vendit të ngjarjes dhe sapo ka parë që kolegët e tij, ka njoftuar grupin tjetër kriminal që prisnin për të marrë kokainën që të largohen.

Mësohet se efektivi i kishte rënë telefonit të një prej të arrestuarve 7 herë mbrëmjen kur u kapën nga Antidroga. Po ashtu ai kishte dërguar një mesazh ku pyeste “A mbaruat punë?”

Polici u zbulua pas zbërthimit të celularëve ku agjentët kanë gjetur biseda mes të arrestuarve me një person me emrin ‘Visi i Pazarit’, për shkak të zonës ku ishte rritur dhe kryesisht qëndronte. Polici kontaktonte me një numër anglez me të arrestuarit, ku dhe besohet se komunikonin për drogën.

Polici ka mohuar që të jetë i lidhur me grupet kriminale kur është marrë në pyetje. Sipas hetimeve të deritanishme, AMP dyshon se roli i efektivit ishte që të siguronte shkëmbimin e drogës dhe të parave mes grupeve kriminale.

Në pranga ranë Enea Sulejmani, kreu i Transportit Ndërqytetas, në gjendje spitalore pasi u plagos nga policia në aksion, teksa tentoi t’i shtypte në arratisje, si dhe shokët e tij pasagjerë, Igli Begaj, 20 vjeç dhe Shkëlqim Ostreni, 26 vjeç. Sulejmani rezulton edhe kreu i Transportit Ndërqytetas. Si provë u kap edhe 1 kg kokainë e pastër, kurse në kërkim është edhe një person i katërt. /ZOOM.AL/