zoom

Aktualitet

Dosja/ Trafiku i kokainës nga Ekuadori, si u nxor nga porti i Durrësit kontenieri i firmës “Zico”

Prokuroria e Durrësit njoftoi se është drejt finalizimit të hetimeve për punonjësin e policisë Adelion Vila dhe të dyshuarit Denis Muçaj, Egnis Gojani dhe Alketa Kollçaku, punonjës të shoqërisë koncesionare të terminalit të kontenierëve “Mariner Adriatic”, të cilët akuzohen se në kundërshtim të ligjin lejuan që një konteiner me banane i kompanisë “Zico Sha”, të nxirret nga Porti.

Kompania është ne pronësi të Trifon Murataj, një biznesmeni të njohur që aktualisht është në kërkim për çështje droge. Në rastin në fjalë denoncimi është bërë nga vetë kompania, megjithatë hetimet e deritanishme kanë zbuluar se kamioni që trasportonte konteinerin mbërriti në një servis në Shkozet, ku u shkarkua dhe morën 2 arka brenda të cilave dyshohet se kishte drogë.

Detajet e dosjes

Në dosjen e institucionit të akuzës thuhet se: Më datë 8 dhjetor 2023 rreth orës 14:53 kamioni i markës “Renault” me targë AA760HL me drejtues shtetasin Durim Halka në hyrë brenda Portit Detar të Durrësit dhe më pas në Terminalin e Konteinerëve të Portit Durrës, me qëllim për të tërhequr kontenierin që i përket kompanisë “Zico sha”.

Regjistrimi i tij në portën hyrëse është kryer nga operatorja Alketa Kallçaku, e cila sikurse del nga dokumentat e ka bërë regjistrimin pa patur pa dokumentacionin përkatës.

“Kjo pasi drejtuesi i kamionit nuk ka patur një praktikë doganore dhe as autorizim nga agjencia dhe kompania Zico sha, për tërheqjen e kontenierit”, theksohet në dosje.

Institucioni i akuzës thekson se pasi e ka ngarkuar kontenierin rreth orës 16:00 të datës 8 dhjetor 2023 kamioni ka dalë nga terminali dhe më pas nga rrethimi i portit Detar Durrës ku për të nuk është kryer regjistrim i daljes. Nga verifikimet në systemin Navis 4, ka rezultuar se operatori që duhet ta kryente këtë veprim ka qenë shtetasi Denis Musaj.

Rreth orës 18:00 të po të njëjtës datë, kamioni është rikthyer përsëri i ngarkuar me kontenierin dhe ka hyrë në terminalin e kontenierëve të Portit Detar Durrës, duke e shkarkuar kontenierin në shesh dhe nuk është kryer asnjë praktikë regjistrimi për hyrjen e tij. Nga verifikimet në sistemin “Navis 4” ka rezultuar se operatori që duhet të bënte këtë veprim ka qenë Egnis Gojani.

Nga kqyrja e pamjeve filmike në lidhje me itinerarin që ka ndjekur kamioni i ngarkuar me kontenierin me numër “SEGU944869” pas daljes nga porti në Durrës 16:00 të datës 8 dhjetor 2023 deri në momentin e rihyrjes në port 2 orë e gjysmë më vonë të po së njëjtës ditë, rezlton se kamioni ka shkuar në një parking privat në Shkozë lagjia 14 Durrës në pronësi të Axhelo Kokomani.

Pas kamionit ka qenë makina shoqëruese një xhip me ngjyrë të bardhë me targa të kuqe, targë e cila nuk dihet, dhe pas saj një mercedez Benz me ngjyrë gri. Sipas dëshmitarëve, rezulton se në makinën Marcedez Benz me ngjyrë gri ka qenë Adelion Vila, drejtues mjeti. Ai ka babain Pëllumb Cila roje në parkingun e Kokomanit.

Adelion Vila ka kërkuar nga pirunisti Edmond Bomi që të bëj shkarkimin e kontenierit dhe këtë gjë e ka bërë në bashkëpunim me shtetas të tjerë të paidentifikuar nga prokuroria. Pasi është hapur kontenieri është ulur një baletë me arka me banane dhe pirunisti Edmond Bomi si dhe Adelion Vila sëbashku me personat e tjerë kanë hipur në kamion dhe kanë shkarkuar disa sende.

Pas 30-40 minutash pirunisti është rikthyer për të ngarkuar përseri baletën me banane që kishte shkarkuar dhe ka parë në tokë një arkë bananesh. Pasi e ka ngarkuar është mbyllur kontenieri duke falsifikuar vulat dhe në orën 18:20 ka dalë nga parkingu dhe është nisur në drejtim të Portit Durrës. Makinat Xhip dhe Mercedez Benz janë larguar në dejtim të paditur.

Roli i punonjësve të shoqërisë koncesionare

Nga verifikimet e kryera në dokumentacionin e kompanisë “Mariner Adriatik” e cila është subjekti që administron procedurat e hyrje daljeve të kontenierëve nga terminali, ka rezultuar se regjistrimi i kamionit është kryer nga Alketa Kallcaku.

Ndërkohë Kallcaku nuk ka paraqitur asnjë dokumentaciomn të ruajtur nga drejtuesi i këtij kamioni për të bërë tërheqjen e kontenierit. Nga verifikimi i praktikës doganore për konteinerin rezulton se ajo mban datë 9 dhjetor 2023. Pra është përpiluar një ditë më pas dhe më datë 8 dhjetor kur është kryer levizja e kontenierit nuk ka patur praktikë doganore apo autorizim nga agjencia përkatëse.

Shkresa e kompanisë

Në dosje thuhet se nga përfaqësuesit e kompanisë “Zico sha” është paraqitur një fotokopje e procesverbalit sipas të cilit kontenieri ishte kontrolluar në portin e Gioia Tauro Italia me datë 20 nëntor 2023. Në kuadër të hetimit është hapur dhe kqyrur kontenieri në mjediset e sheshit të monitorimit të Terminalit të trageteve në Portin detar Durrës, proces gjatë të cilit ka rezultuar se ishte në gjendje të mbyllur dhe kishte te vendosura dy plumbe sigurie.

“Pasi janë prerë plumbcet është bërë zbritja e kutive me banane. Në dyshemenë e tij është gjetur dhe një plumbce tjetër sigurie. Pasi është hequr paleta e parë me kuti bananesh, në dyshemenë e konteinerit janë gjetur një palë syze optike me skelet ngjyrë kafe”, theksohet në dosje.

Ka rezultuar se në pjesën e paletave me banane shiritat mbajtës të kutive ne pjesën e sipërme ishin të lëvizura nga vendi i tyre.

“Në kontenier është konstatuar që në paleta mungonin dy kuti me banane. Gjithsej ishin të ngarkuara 1096 kuti. Ndërkohë në deklaratën doganore ishin shënuar 1098 kuti”, thuhet më tej.

Gjatë kontrollit në kutitë me banane nuk është gjetur ndonjë send i kundraligjshëm, vec syzeve që janë dërguar për ekspertim për të përcaktuar nëse konstatohen gjyrmë gishtërinjsh.

Pamjet filmike

Prokuroria ka mundur të ndërtojë të gjithë itinerarin e lëvizjes së kamionit nga momenti që lë portin e Durrësit dhe derisa rifutet dy orë e gjysmë më vonë. Nga kqyrja e kamerave rezulton se kamioni ka dalë nga hyrja nr 4 e Portit dhe pas tij ka dalë dhe automjeti me tip Golf 7 me ngjyrë të bardhë e shtetasit Adelion Vila.

Kamioni ka marrë drejtimin për në Shkoze duke kaluar mbikalimin të Ura e Dajlanit ku rezulton se në këtë vend pas tij e shoqëron një automjet mercedez benz b-class me ngjyre gri dhe më pas golfi i Adelion Vilës. Kur kanë kaluar te bar kafe “M…” e cila ndodhet në rruën Bajram Curri, Shkoze lagjia nr.14 në Durrës, në orën 16.07 Golfi 7, i Adelion Vila ka parakaluar B-Classin dhe ka qenë pas kamionit.

Nga kqyrja e kamerave të karburant Krasniqi që ndodhet në rrugën “Bajram Tusha” Shkozet, rezulton se në orën 16.08 Golfi ka parakaluar edhe kamionin dhe është parkuar te karburanti. Nga makina ka dalë i vetëm i veshur me të zeza, Adelion Vila.

Një minutë para tij, te karburanti rezulton se vjen një automjet tip Jeep me ngjyrë gri me targa të kuqe prove përpara. Ndërsa nga pas nuk ka targa, me xhama të zinj, i cili parkon pas karburantit. Fill pas tij vjen një automjet Mercedez Benz C-Class me ngjyrë të zezë brenda të cilit ndodhen dy shtetas, një shofer dhe tjetri pasagjer, të cilët nuk zbresin nga makina, por e parkojnë makinën në cepin e majtë të lokalit që ndodhet ngjitur me karburantin.

Drejtuesi i automjetit “Jeep”, Hysen Zeqiri i njohur si “Cenia i vogël” zbret nga makina ku ndodhej i vetëm dhe afrohet te xhami i shoferit të C-Clas, bisedon me të dhe dhe futet në lokal. Më pas del nga hyrja pas lokalit, komunikon ne telefon dhe shkon të ndezë Jeep-in, ndërkohë që C-Class bën indietro dhe kthehet me fytyrë nga rruga. Adelion Vila le makinën e tij dhe ngjitet ne makinën tip Jeep që drejtonte Hysen Zeqiri.

Të dyja makinat vazhdojnë në rrugën Bajram Tusha Shkozet, për në drejtim të kryqëzimit të Shkozetit. Kamioni, i shoqëruar nga automjetet në fjalë është dërguar në servisin Kokomani dhe me ndihmën e një pirunisti janë shkarkuar baletat dhe janë marrë 2 arka më banane. Më pas, është ngarkuar sërish dhe është rikthyer në Port. /ZOOM.AL/