zoom

Ekonomi

Tkurret kërkesa dhe oferta për kredi: Më pak aplikime, më shumë refuzime nga bankat

Kërkesa e sektorit privat për kredi në sektorin bankar pësoi rënie në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Sipas Bankës së Shqipërisë, numri total i aplikimeve për kredi të shqyrtuara nga bankat ka shënuar rënie me 5.5% krahasuar me gjashtëmujorin e fundit 2022.

Kjo rënie ka ardhur nga “ndërmarrjet e vogla dhe të mesme” (me 21.6%) dhe individët (me 4.9%), ndërkohë që kategoria “ndërmarrje të tjera” ka rezultuar në rritje me 2.1%.

Edhe krahasuar me një vit më parë, numri i aplikimeve gjithashtu ka rezultuar në rënie me 7.9%, e ardhur nga të tre kategoritë e klientëve, por më e theksuar për “ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”.

Gjatë gjashtëmujorit të parë 2023, bankat raportuan se kanë marrë në shqyrtim gjithsej 60,782 aplikime për kredi, nga të cilat 8% i përkasin sektorit të “ndërmarrjeve” (2,533 aplikime nga “ndërmarrje të vogla dhe të mesme” dhe 2194 aplikime nga “ndërmarrje të mëdha”) dhe 92% i përkasin sektorit të “individëve” (56,055 aplikime gjithsej).

Kjo shpërndarje ka mbetur e njëjtë krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por është zhvendosur disi në favor të ndërmarrjeve krahasuar me një vit më parë.

Në totalin e aplikimeve të marra në shqyrtim gjatë periudhës, rezulton se rreth 24% e tyre janë refuzuar nga bankat. Kjo normë ka vijuar të shënojë rritje duke rezultuar rreth 3.7 pikë përqindje më e lartë se gjashtë muaj më parë dhe rreth 5.8 pikë përqindje më e lartë se një vit më parë.

Rritja e refuzimeve të bankave gjatë gjashtë muajve të parë të 2023, është shtrirë në të tre kategoritë e klientëve, por më e theksuar ndaj “ndërmarrjeve të tjera”, ku përfshihen kryesisht ndërmarrjet e mëdha.

Norma e refuzimit ka ardhur në rritje për bankat me kapital vendas dhe të huaj dhe ka përfshirë të gjitha kategoritë e klientelës.

Vihet re se gjatë periudhës, të dy grupet bankare kanë shfaqur një prirje të theksuar refuzuese ndaj kërkesave për kredi të ndërmarrjeve të mëdha, ndërkohë që kanë qenë më pranuese ndaj “ndërmarrjet e vogla dhe të mesme” duke refuzuar në total vetëm 7% të aplikimeve në rastin e bankave të huaja dhe 9% të aplikimeve në rastin e bankave me kapital vendas.

Përsa i përket segmentit të individëve, të dy grupet kanë vijuar të kenë qëndrime të kundërta.

Kështu, bankat vendase, kanë refuzuar vetëm 6% të aplikimeve, ndërkohë që bankat e huaja shfaqen më pak të interesuara ndaj këtij segmenti duke refuzuar rreth 33% të aplikimeve.

Nga analiza e mësipërme mund të arrihet në përfundimin se ecuria e aplikimeve të shqyrtuara nga bankat gjatë gjysmës parë të vitit 2023, tregon për një moderim me bazë të gjerë të kërkesës për kredi si nga sektori i individëve dhe ai i ndërmarrjeve, si dhe një qëndrim më të shtrënguar të kredidhënies nga ana e bankave. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri është e pritshme në kushtet e rritjes së normave të interesit në treg dhe nevojës për një analizë më të detajuar të aftësisë paguese të aplikantëve për kredi./ Monitor