zoom

Aktualitet

Tentoi t’i ikte policisë, detaje nga vdekja e 43-vjeçarit në Lushnjë! Ç’ndodhi në Komisariat para aksidentit tragjik

Tentoi t’i ikte policisë, detaje nga vdekja e 43-vjeçarit në Lushnjë! Ç’ndodhi në Komisariat para aksidentit tragjik

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur në orët e para të mëngjesit në Lushnjë, ku humbi jetën 43-vjeçari Ernis Xhumari.

Sipas bluve, rreth orës 01:45 të datës 2 qershor, punonjësit e sallës operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë konstatuar përmes kamerave të sigurisë një automjet tip “Mercedes-Benz” që po kryente manovra të çrregullta përpara godinës së komisariatit.

Mësohet se drejtuesi i mjetit ka dalë disa herë nga automjeti duke bërtitur para komisariatit, sjellje që ka bërë që salla operative të njoftojë patrullën e përgjithshme për të verifikuar situatën dhe drejtuesin e automjetit.

Sapo ka vënë re afrimin e efektivëve të policisë, 43-vjeçari është larguar me shpejtësi të madhe nga zona. Vetëm pak minuta më vonë, në vendin e njohur si “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, ai dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të shpejtësisë së lartë.

Automjeti është përplasur fillimisht me bordurat anësore të rrugës dhe më pas është përmbysur, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të drejtuesit 43 vjeçarit, banues në Tiranë.

Në vendngjarje mbërritën shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit fatal.

Postime të lidhura