zoom

Aktualitet

Tentoi të vriste një të ri/ Policia shtrin përtokë 32-vjeçarin në Fresk dhe i vë prangat (EMRI+VIDEO)

Tentoi të vriste një të ri/ Policia shtrin përtokë 32-vjeçarin në Fresk dhe i vë prangat (EMRI+VIDEO)

Një 32-vjeçar i shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje është vënë në pranga në Tiranë, pas një operacioni të zhvilluar nga forcat speciale të policisë.

I dyshuari, Eduard Kësolla, prej rreth tre muajsh i ishte shmangur autoriteteve, pasi akuzohet se në Shkodër kishte tentuar të vriste me armë zjarri një 21-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta. Ngjarja kishte ndodhur më 16 janar 2026, në zonën e njohur si “Kryqëzimi i Vinotekës”.

Kapja e tij u realizua në zonën e “Freskut”, ku efektivë të armatosur ndërhynë duke rrethuar automjetin me të cilin ai po lëvizte. Pas neutralizimit, 32-vjeçari u arrestua në vend.

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në kuadër të fazës së radhës të aksionit kombëtar “Operacionalja”, ndërsa i arrestuari konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë.

Gjatë ndërhyrjes, u ndalua edhe një 27-vjeçar, i cili dyshohet se e ndihmonte autorin duke e transportuar me një automjet tip “Audi”. Ai akuzohet për përkrahje të autorit të krimit, ndërsa mjeti u sekuestrua si provë materiale.

Sipas policisë, ndaj 32-vjeçarit rëndojnë disa akuza, përfshirë tentativën për vrasje, prishjen e qetësisë publike dhe mbajtjen pa leje të armëve./ Zoom.al

Postime të lidhura