zoom

Aktualitet

Tensionet në Veri/ Albin Kurti: Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar, nuk do t’i tolerojmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se personat që kanë sulmuar zyrat në komunat me shumicë serbe janë të nxitur nga Serbia. Madje sipas tij, ky është provokim për “konflikt serioz ndërkombëtar”

“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, ka thënë Kurti në një reagim në Facebook.

Kurti ka thënë se sulmet e tilla s’do të tolerohen.

“Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës”, ka përfunduar ai.