Aplikacion
Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje për mbledhjen e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve që pritet të zhvillohet të premten, pas kërkesës së SPAK për Kuvendin që të heqë imunitetin për Belinda Ballukun.
Sipas Lalës, mbledhja e Këshillit pritet të zgjasë disa orë, pasi përbëhet nga 10 anëtarë dhe deputetja Balluku do të ketë të drejtën të paraqesë mbrojtjen e saj përmes avokatëve.
Klodiana Lala bëri të ditur se për shkak të volumit të madh të dosjes dhe rëndësisë së çështjes, në mbledhje do të marrin pjesë të paktën tre prokurorë, përfshirë edhe drejtuesin aktual të SPAK, Altin Dumani, dhe prokurorin Dritan Prençi.
Deri më tani, anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit nuk kanë marrë materialet hetimore të SPAK për dosjen e Ballukut. Këto përfshijnë akte ekspertimi të celularëve të sekuestruar, si dhe materiale nga pajisje të tjera të konfiskuara nga bashkëpunëtorë dhe persona të besuar të Ballukut. Materialet e reja janë bashkangjitur në dosje dhe pritet të përdoren për të mbështetur hetimin.
Ajo shtoi se mbledhja do të zhvillohet me dyer të mbyllura për të garantuar konfidencialitetin e procedurës dhe për të mundësuar dëgjimin e deputetes përpara vendimmarrjes së Këshillit. Çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë të parashtrojë pyetje ndaj Ballukut, gjë që pritet ta bëjë seancën të zgjasë disa orë./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit