zoom

In Zoom

Të dhënat e shqiptarëve vijojnë të degdisen në serverat e hakerave iranianë, Rama sytë nga fushata

Ditën e djeshme, Presidenti i vendit Bajram Begaj mblodhi Këshillin e Sigurimit Kombëtar ku një ndër temat në fokus, ishte edhe ajo e sulmeve kibernetike nga Irani.

Kreu i shtetit, pohoi se në vitin që lamë pas, këto sulme ishin një sfidë e madhe që erdhi si pasojë e synimeve të huaja politike për të shkaktuar destabilitet në vend.

Pjesë e takimit, siç e përcakton Kushtetuta, ishte edhe kryeministri Rama, i cili duket se e merr seriozisht këtë çështje, vetëm atëherë kur mund të përfitojë diçka nga vendet e fuqishme të botës.

Jo më larg së një javë më parë, gjatë fjalës së tij të mbajtur në Samitin në Davos, Rama tha se rreziku nga sulmet kibernetike ishte aq serioz, sepse këto të fundit mund të përdoren për t’i kthyer avionët civilë, në bomba.

Një deklaratë kjo sa e fuqishme, aq edhe e papritur, pasi në retorikën e përdorur që nga nisja e sulmeve, Rama ka preferuar të mbyllë veshët përballë tringëllimës së rrjetit social Telegram, ku të dhënat e shqiptarëve vijojnë të dalin sheshit pa asnjë filtër.

Por si nisi lufta e hakerave iranianë me qeverinë shqiptare?

Grupi i ashtuquajtur “Homeland Justice” ose “Drejtësi për Atdheun”, theu sistemet kompjuterike të institucioneve shqiptare duke publikuar informacione të klasifikuara për publikun e gjerë.

Pak pas daljes së të dhënave, qeveria shqiptare punësoi një skuadër nga gjiganti teknologjik Microsoft, për të hetuar sulmet kibernetike. Skuadra realizoi një raport sipas të cilit, hakerat  kishin depërtuar në databazën shqiptare që në maj të vitit 2021, ҫfarë e bëri situatën shumë më serioze.

Në bazë të këtij raporti, qeveria shqiptare akuzoi drejtpërdrejt Iranin dhe ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike. 14 muaj pas ndërhyrjes së parë, më 18 korrik 2022, Homeland Justice mori përgjegjësinë për sulmin kibernetik ndaj infrastrukturës online të qeverisë shqiptare.

Pak javë më vonë, ata publikuan një mesazh në rrjetin social Telegram, ndërsa në mënyrë qesharake, nxorën në shitje për vetëm 400 dollarë të dhënat e hyrje-daljeve të shtetasve shqiptarë në kufi, të cilat i kishin siguruar përgjatë muajve.

Pavarësisht se të dhënat e shqiptarëve fironin dita-ditës, më 3 shtator, kryeministri i vendit, Edi Rama, deklaroi me bindje nga salla e Kuvendit, se “hakerat nuk kishin mundur të merrnin të dhëna sensitive”.

Kjo deklaratë ra poshtë shumë shpejt, pasi më datë 18 shtator, grupi autentik i Homeland Justice, publikoi në platformën sociale, email-et zyrtare të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në atë kohë, Gledis Nano.

Këto dokumente u shkarkuan në mënyrë masive edhe nga mediat online në vend dhe shkëmbimet zyrtare në postën elektronike të Nanos, qarkulluan lirisht në rrjet.

Për këtë shkak, një ditë më pas dhe në alarm të plotë, Prokuroria vendosi ndalimin e publikimit të çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik dhe ngarkoi Njësinë C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), “që të grumbullojnë të gjithë informacionin e deritanishëm dhe të ardhshëm të të dhënave.”

Duke trumbetuar një vendim të paligjshëm dhe duke kërcënuar mediet, në deklaratë, Prokuroria pranonte për herë të parë dhe në kundërshtim me deklaratat e qeverisë deri në atë moment, se “publikimi i këtyre të dhënave cenon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare.”

Si ndodhi sulmi?

Ekspertët në fushën e sigurisë informatike, pohojnë se ende askush nuk e di se sa është sasia e të dhënave të marra, ndërsa gabimi i përket institucioneve shqiptare.

Duke iu referuar raporteve të Microsoft dhe FBI, hakerat iranianë shfrytëzuan një dobësi në serverin administrata.al. Përditësimet e nxjerra nga Microsoft qëllimisht për mbrojtjen nga sulmet, nuk ishin realizuar në këtë sistem nga ekipi i mirëmbajtjes, dobësi që më pas u përdor për të bërë thyerjen.

Për këtë prokuroria e Tiranës kërkoi arrest shtëpie nën akuzat e Shpërdorimit të detyrës për punonjësit e IT-së: Rudina Llagami; Albi Gjeka; Altin Sallaku; Alketa Sulo dhe Igli Lubonja.

Megjithatë, shumë shpejt gjykata rrëzoi kërkesën e prokurorisë, duke bërë që 5 punonjësit të hetoheshin nën masën “detyrim paraqitjeje”. Më 22 dhjetor 2022, edhe kjo masë u shfuqizua nga Apeli.

Kështu edhe pse një situatë e paralajmëruar, faji mbeti jetim.

Cilat janë deri më tani të dhënat e shqiptarëve që vijojnë të degdisen lirisht në hard-disqet e hakerave të huaj?

Në një vëzhgim të thjeshtë të realizuar nga Zoom.al, Homeland Justice nga korriku i vitit të kaluar deri më sot ka publikuar:

  • Email-et e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano
  • Udhëtimet e kryeministrit Edi Rama
  • Databazën e personave të dyshuar për krime
  • Punonjësit e SHISH
  • Listën e policëve të dyshuar si në rrezik
  • Databazën e automjeteve shqiptare
  • Patentat e shqiptarëve
  • Hyrje-daljet në sistemin TIMS
  • Email-et e kreut të SHISH
  • Të dhënat bankare të 1000 bizneseve
  • Numrat e telefonit të shqiptarëve
  • E-mailet e kryeministrit Edi Rama
  • E-mailet e Ministrisë së Jashtme
  • E-mailet e Ministrisë së Brendshme
  • E-mailet e Ministrisë së Mbrojtjes
  • Të dhënat e klientëve të një Banke

Nga ana tjetër, hakerat nuk kanë vjedhur vetëm të dhëna, por kanë bërë edhe dëme nëpër platforma me shumë rëndësi:

  • Pezullimin për disa ditë të portalit e-Albania
  • Pezullimin e sistemit TIMS
  • Hakimin e një Banke.

Si mund të bëjmë kujdes?

Grupi Homeland Justice, filloi të shumëfishohej shumë shpejt me adresa të rreme. Duke u sjellë si grupi origjinal, në Telegram nisën të krijohen llogari të reja me këtë emër, duke shkaktuar një kakofoni të vërtetë informacionesh, sidomos për qytetarët shqiptarë.

Shpeshherë këto adresa të reja, ngarkojnë në platformë materiale me viruse, të cilat sipas Gentjan Prognit, mund të dëmtojnë rëndë pajisjet nga e cila aksesohen informacionet.

“Deri tani është vënë re që janë hapur disa accounte të reja në Telegram me emrin Homeland Justice. Në këto llogari të rreme, të gjitha materialet janë me virus.”

Progni thekson se në llogarinë origjinale, edhe pse jo të gjitha, disa materiale PDF, kishin viruse për pajisjet telefonike dhe për PC, ndaj rreziku ka qenë që në shtator.

Në mënyrë të mbrohemi, ekspertët këshillojnë që nëse duam me patjetër të shkarkojmë një material, procesi duhet bërë një PC në të cilën nuk ka historik përdorimi dhe as materiale të rëndësishme. Gjithashtu duhet të kemi antivirus të përditësuar kur i aksesojmë.

Kjo pasi ekziston rreziku që virusi të hakerojë ose të fshijë të gjitha materialet që ndodhen në pajisje.

Si është gjendja aktuale?

Në një situatë ku të dhënat personale, u kthyen në një material për konsum publik, qeveria mendoi t’i zgjidhte gjërat duke miratuar një ligj special për sigurinë kibernetike.

Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi më 22 mars projekligjin e qeverisë “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe zbatimin e kontratës me shoqërinë “Jones Group International” për forcimin e sigurisë kibernetike”. Përgjatë komisionit, deputetët e opozitës e konsideruan procedurën si antikushtetuese, megjithatë projektligji u bë fakt i kryer.

Si gjithnjë, ligji shqiptar provoi edhe njëherë se është ideal në të shkruar, por i pazbatueshëm në realitet.

Për ekspertët, lufta ndaj sulmeve kibernetike kërkon investime konkrete në infrastrukturë dhe burime njerëzore. Për ta, ka ardhur momenti që Shqipëria të ngrejë një skuadër me “White Hat Hackers”, që është një skuadër hakerash të cilët sulmojnë institucionet, por për të kuptuar pikat e dobëta në mënyrë që aty të ndërhyhet për të rritur sigurinë.

Siguria kibernetike në kolaps, qeveria sytë nga fushata

Pavarësisht situatës së vështirë ku gjendet aktualisht Shqipëria në raport me sigurinë kibernetike, edhe në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Sigurimit, gjithçka mbeti në kuadrin e këshillimeve të përgjithshme dhe nuk u ngrit asnjë udhëzim konkret për këtë çështje edhe pse fokusi binte pikërisht në këtë pikë.

Ndërkohë ministrja e Financave, Ibrahimaj menjëherë pas Komisionit ka shkuar në një event bashkë me ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi si dhe ministren për Rininë, Bora Muzhaqi, ku kanë shpallur thirrjen e parë për të gjithë të rinjtë që duan të marrin pjesë në Programin e Kodimit.

Ky program çelet nga qeveria shqiptare pikërisht në prag fushate, me premtime të fryra për studentë që do të dalin nga aty me njohuri të shkëlqyera, në një kohë kur në shkollat e vendit ende mungojnë laboratorët kompjuterikë dhe kodimet janë një realitet i largët.

Prandaj ndërkohë që qeveria mendon të perfeksionojë strategjinë zgjedhore për garën e 14 majit, qytetarët le të presin se cilat të dhëna do të dalin në dritë në publikimin e radhës. /Zoom.al