zoom

Lajme

Tabaku paralajmëron Petrit Malajn: Do të kesh të njëjtin fat si Ahmetaj

Tabaku paralajmëron Petrit Malajn: Do të kesh të njëjtin fat si Ahmetaj

Në seancën e sotme plenare ku diskutohej projektbuxheti i vitit 2026, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, pati një përplasje të ashpër me ministrin e Financave, Petrit Malaj.

Debati nisi kur Tabaku kritikoi qeverinë për shpenzimet e mëdha që lidhen me inceneratorët, duke theksuar se këto kosto vijojnë të rëndojnë buxhetin e shtetit. Ajo paralajmëroi Malajn duke thënë se “do të ketë të njëjtin fat si Arben Ahmetaj”.

Deputetja e PD u shpreh se qeveria po paraqet të dhëna të pasakta për shpenzimet e inceneratorëve dhe për kostot e menaxhimit të mbetjeve.

Ministri Malaj iu përgjigj duke theksuar përvojën e tij mbi 20-vjeçare në financa dhe duke argumentuar se të dhënat e institucioneve ndërkombëtare tregojnë përmirësim ekonomik dhe rritje të të ardhurave për qytetarët. Ai shtoi se buxheti i propozuar siguron konsolidim fiskal, ulje të borxhit dhe mbështetje sociale pa rritur taksat.

Pjesë nga debati:

Jorida Tabaku: Së pari, zoti Ministër, me “Ti” drejtojuni atyre që të kanë fut në punë, jo më mua. Për juve jam zonja Tabaku. Së dyti, kur të mësosh të lexosh Buxhetin e Shtetit, sepse ndoshta nuk e ke kuptuar, do e shohësh se ku janë inceneratorët, ku është edhe kosto për menaxhimin e mbetjeve. Je i ri në detyrë, je i 12-ti ministër që kalon aty se ke të gjatë. Shumë kanë ikur, do ikësh edhe ti.

Por, duhet të kuptosh se sot çështja e inceneratorëve e cila është duke e hetuar dhe unë shpresoj shumë të çoj përpara drejtësisë të gjithë ato që janë përfshirë duke nisur nga kryeministri. Po i shkakton buxhetit të shtetit një kosto e cila vetëm për Tiranën shkon 339 milionë euro.

Ashtu thoshte dhe Arben Ahmetaj, zero thoshte dhe e sheh ku është. Rrugën e atij do kesh. Së dyti, për sa i përket çmimeve po njëkohësisht sa i përket çmimeve dhe kostove të jetesës, 20% e çmimeve të BE kanë qenë çmime në 2012, sot janë 92% e çmimeve të BE. 40% janë sot shpenzime për ushqime, 55% e familjeve shqiptare nuk mbyllin dot muajin, këto janë të dhënat tuaja, ju pëlqen apo jo.

Çdo ministër financash duhet të ishte shqetësuar për këto të dhëna dhe jo të vinte dhe të qeshte këtu me varfërinë e shqiptarëve. E kuptoj vështirësinë që ka sot qeveria për të sjellë një buxhet për qytetarët, por të dilni dhe të mashtroni këtu me paqen fiskale, me shlyerjen e borxheve që e bënin për klientët e qeverisë dhe të thoni që është për qytetarët shqiptarë, kjo është komplet jo paaftësi, po është korrupsion.

Petrit Malaj: E nderuar zonja Tabaku, unë jam profesionit në fushën e financës dhe kam mbi 20 vite punë. Ju, konkretisht nuk e di se çfarë profesioni keni. Kështu që, për sa i përket pjesës së lexuarit të buxhetit apo se si janë të listuar zërat e buxhetit, të siguroj që e kam njohurinë shumë më të thellë se sa e keni ju.

Duket se deri në këtë pikë, ke folur vetëm politikisht, nëse do i kthehemi shifrave do të kuptosh që ky është buxheti i cili siguron mirëqenie sociale, siguron rritje ekonomike, konsolidim fiskal, ke ulje të borxhit dhe kjo vjen pa rritur taksat. Kështu që, besoj buxhet më të mirë dhe ju nuk keni parë në eksperiencën tuaj./ Zoom.al

Postime të lidhura