Aplikacion
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale lidhur me gjendjen alarmante të sektorit të bujqësisë në Shqipëri, të cilin ajo e cilëson si “krizën më të madhe ekonomike që po kalon vendi”.
“Në 12 vitet e fundit Shqipëria është përballur me një sërë krizash, nga emigracioni masiv, plakja e popullsisë, deri tek rënia e sistemit arsimor, por asgjë nuk është më dramatike se gjendja e bujqësisë”, deklaroi Tabaku.
Sipas saj, mungesa e politikave mbështetëse, niveli i ulët i subvencioneve dhe barrat fiskale të vendosura mbi fermerët kanë çuar në rënien sistematike të këtij sektori jetik. Ajo theksoi se në pesë vitet e fundit bujqësia ka pësuar rënie të vazhdueshme dhe këtë vit prodhimi është pothuajse i papërfillshëm.
“Toka shqiptare kontribuon me rreth 18% në PBB, por potenciali i saj është i pa shfrytëzuar për shkak të mungesës së reformave të qëndrueshme dhe vëmendjes institucionale”, u shpreh deputetja demokrate.
Duke kritikuar ashpër qeverinë, Tabaku akuzoi ministrat për mungesë reagimi dhe përqendrim në propagandë, ndërsa fermerët ndodhen në kushte të pasigurta ekonomike. Ajo kërkoi një ndryshim të menjëhershëm të qasjes qeveritare, si dhe një reformë të thellë në bujqësi, për të kthyer këtë sektor në burim zhvillimi dhe mirëqenieje për mijëra familje shqiptare./ Zoom.al