zoom

Slider

Sulm masiv kibernetik sistemeve shtetërore online në Itali e Francë

Një sulm masiv kibernetik “ransomware” ka goditur këtë fundjavë dhjetëra mijëra servera në të gjithë botën. Vendi më i prekur duket Italia. Por hakerat kanë sulmuar sistemet edhe në Francë e disa vende të tjera të Europës, si Finlanda si dhe disa sisteme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Kanadasë.

Francezët ishin të parët që e kuptuan sulmin.

Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike Italiane njoftoi se sisteme kombëtare mund të jenë kompromentuar dhe kanë alarmuar subjekte të shumta. Megjithatë teknikët mendojnë se nuk ndodhen ende nën rrezik real.

Sipas autoriteteve “ka ende disa sisteme të ekspozuara, të pa komprometuara. Këtyre sistemeve u është kërkuar të bëjnë menjëherë përditësim, në mënyrë që hakerat të mos depërtojnë.

Sulmi kishte në shënjestër serverët e quajtuar VMware ESXi. Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike tha se “serverët që janë nën sulm, nëse nuk kanë përditësimet e nevojshme, mund të hapin derën për hakerat”.

Shfrytëzimi i cenueshmërisë në servera, shpjegon kjo agjenci, lejon që në një fazë të mëpasme hakerat të kryejnë sulme ransomware që kodojnë sistemet e prekura duke i bërë ato të papërdorshme. Zakonisht hakerat kërkojnë një shpërblim për t’i rikthyer sistemet”.

Nuk dihet ende se kush qëndron pas sulmit, nëse ai është bërë nga hakera të zakonshëm apo nga grupe hakerash të sponsorizuar nga shtete të ndryshme.

Në Shqipëri, grupi Homeland Justice që sulmoi sistemet qeveritare online u sponsorizua nga Irani. /Zoom.al