Aplikacion
Prokuroria e Posaçme konfirmon se ka regjistruar procedim penal për Aeroportin e Vlorës.
Organi hetues e ka publikuar këtë fakt në faqen zyrtare të saj, në kuadër të programit të transparencës, por mbetet i rezervuar në detaje se për çfarë vepre penale, nëse është regjistruar me numër procedimi apo emri subjekti dhe mbi çfarë indicie.
Burime jo zyrtare bëjnë me dije se po verifikohen procedurat koncesionare dhe të dhënies së kontratës, si dhe kritere të tjera ligjore e proceduriale nëse kanë qenë në përputhje me ligjin.
SPAK gjithashtu njofton se ka regjistruar procedim penal edhe për një çështje tjetër të ndjeshme si ajo e ndërhyrjes në sistemin TIMS. Hetimet thotë organi i akuzës janë në fazën paraprake dhe janë regjistruar në kuadër të një kallëzimi penal që ka mbërritur në prokurori.
Sistemi TIMS, kujtojmë se ka qenë pjesë edhe e debateve politike, ku u ngrit një komision hetimor parlamentar, teksa përfundoi në burg Ervin Muça, ish-drejtor i IT-së në Policinë e Shtetit. SPAK nuk specifikon se me çfarë episodi ka të bëjë pretendimi i kallëzuesit dhe kush janë personat apo institucionet që hetohen.