Aplikacion
TIRANË – Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë zbarkuar në zyrat e AZHT, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, që konsiderohet si një prej zyrave të lidhura drejpërdrejt me përdorimin e kullave dhe resorteve për pastrimin e parave të drogës, call center -ave dhe korrupsionit.
Burime ekskluzive për Zoom.al bëjnë me dije se agjentët e BKH-së kanë qëndruar për më shumë se 3 orë brenda ambienteve të institucionit, duke ushtruar kontrolle të imtësishme në disa zyra, përshirë atë të drejtoreshës së përgjithshme, Adelajda Roka.
Gjatë këtij kontrolli të befasishëm, hetuesit kanë sekuestruar një volum të konsiderueshëm dokumentesh, dosje praktikash, si dhe pajisje elektronike që pritet t’i nënshtrohen ekspertizës kompjuterike.
Sipas të dhënave të siguruara nga Zoom.al, ky hetim i SPAK dhe BKH lidhet drejtpërdrejt me dyshimet për dhënien e disa lejeve të ndërtimit, kryesisht në zonat më të lakmueshme të kryeqytetit dhe bregdetit. SPAK dyshon se këto projekte ndërtimore janë përdorur si parajsë për pastrimin e parave të pista të gjeneruara nga grupet e strukturuara kriminale, të cilat operojnë brenda dhe jashtë vendit në trafikun e drogës apo në zhvatjen e qytetarëve europianë përmes call center -ave.
Hetuesit po skanojnë të gjithë zinxhirin e miratimit të këtyre lejeve, ku roli i AZHT-së si institucioni kyç në koordinimin e KKT-së, Këshillit Kombëtar të Territorit, është vendimtar.
Përtej procedurave teknike të lejeve të ndërtimit, vëmendja kryesore e prokurorëve të posaçëm është përqendruar te vetë drejtoresha Roka. Siç ka raportuar Zoom.al përmes një sërë shkrimesh investigative ditët e fundit, emri dhe roli i saj kanë dalë zbuluar në faqet e librit të bujshëm “The Albanian Files”.
Në këtë botim, i cili ka shërbyer si një udhërrëfyes i çmuar për hetuesit, zbërthehen me detaje mekanizmat se si zyrtarë të lartë shtetërorë kanë lehtësuar depërtimin e kapitalit me origjinë të dyshimtë në ekonominë formale, specifikisht në sektorin e ndërtimit. Të dhënat e publikuara në libër përkojnë me fashikujt e hapur nga SPAK, duke rindërtuar skemën e plotë të ndikimit dhe favoreve që dyshohet se janë bërë në shkelje të ligjit.
Hetimi nuk po kufizohet vetëm te dokumentet zyrtare të sekuestruara gjatë këtij kontrolli, por po shtrihet edhe në verifikimin e pasurisë së zyrtarëve të AZHT-së dhe komunikimeve të tyre me përfaqësues të bizneseve të përfshira në këto ndërtime.
Aksioni i SPAK dhe BKH shënon vetëm fazën e parë të një operacioni më të gjerë. Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije për Zoom.al se ditët në vijim pritet të thirren për të dëshmuar në SPAK zyrtarë të tjerë të AZHT-së, si dhe disa ndërtues. /Zoom.al