zoom

Aktualitet

SPAK dërgon në gjyq bandën e Suel Çelës, mes tyre edhe gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno

SPAK dërgon në gjyq bandën e Suel Çelës, mes tyre edhe gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno

SPAK ka përfunduar hetimet disa-mujore dhe ka dërguar për gjykim një nga dosjet më të rënda të viteve të fundit, që lidhet me grupin kriminal të drejtuar nga Suel Çela. Në total, janë 21 persona të pandehur, të akuzuar për një sërë veprash të rënda penale.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, të dyshuarit kanë vepruar si organizatë kriminale dhe grup i strukturuar kriminal, me aktivitet brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Hetimet kanë zbuluar përfshirje në tentativë vrasjeje, trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë, si dhe korrupsion aktiv dhe pasiv në sistemin e drejtësisë dhe sektorin privat.

Në mesin e të pandehurve përfshihen, përveç Suel Çelës dhe vëllait të tij Mario Çela, edhe ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu, ish-shefi i Krimeve Dedan Gjoni, gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, si dhe persona të tjerë me role të ndryshme në strukturën kriminale.

SPAK akuzon për korrupsion pasiv gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, me argumentin se kanë përfituar vlera monetare të paligjshme nga Çela në këmbim të qëndrimeve të tyre në media, si dhe publikimit të artikujve dhe videove që keqinformonin ose manipulonin opinionin publik. Hoxha dhe Qyno i kanë kundërshtuar si të pabazuara në mënyrë të përsëritur konstatimet e SPAK.

Sipas dosjes hetimore të ndërtuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe prokurorët e posaçëm, grupi dyshohet se:

  • ka organizuar dhe financuar tentativa vrasjeje në qytetin e Elbasanit;
  • ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Europës;
  • ka përdorur lidhje korruptive për të ndikuar në vendimmarrje gjyqësore;
  • ka vepruar në disa shtete, përfshirë Ekuadorin, Holandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipërinë.

Gjatë episodeve të dokumentuara, autoritetet ndërkombëtare kanë sekuestruar qindra kilogramë kokainë, ndërsa një pjesë e të pandehurve ndodhen aktualisht në arrati dhe po hetohen në mungesë.

Për shumicën e të akuzuarve është caktuar masa “arrest me burg”, ndërsa për disa prej tyre janë vendosur masa alternative si arrest shtëpie apo detyrim për t’u paraqitur. Dosja tashmë i ka kaluar Gjykatës së Posaçme, e cila pritet të caktojë seancat e para gjyqësore./ Zoom.al

Të pandehurit:

  1. Marjus Lulaj (alias Suel Çela)
  2. Mario Çela
  3. Klaus Matishi (alias Klaus Çopja, alias Kledjan Çopja)
  4. Xhino Roka
  5. Marsel Roka
  6. Prekë Kodra
  7. Ledio Zabeli
  8. Sergej Hasanpapaj
  9. Fuad Verzivolli
  10. Bruno Hazizolli
  11. Ado Xhika (alias Elkier Cerriku, alias Ado Cerriku)
  12. Artan Hoxha
  13. Pajtime Fetahu
  14. Metin Mehja
  15. Skënder Sufaj
  16. Marsel Shega (alias Bujar Shega)
  17. Renato Hasani
  18. Hajdar Lala (alias Hajdar Xaka, alias Hajdar Sefa)
  19. Blerina Beqiri
  20. Elton Qyno
  21. Dedan Gjoni

Postime të lidhura