Aplikacion
Vëllai i Suel Çelës, Mario Çela, është ekstraduar nga Belgjika drejt Shqipërisë, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
37-vjeçari Mario Çela, i lindur në Elbasan, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 22 nëntor 2024, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Organizata kriminale”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe “Korrupsioni aktiv në sektorin privat”.
Mario Çela është vëllai i Suel Çelës, kreut të organizatës kriminale të Elbasanit që u godit nga SPAK.
Ai u arrestua në Belgjikë në nëntor të vitit 2024 në kuadër të operacionit të SPAK, i cili lëshoi asokohe 21 urdhër-arreste, mes të cilave edhe Mario Çelën.
SPAK bëri me dije në njoftimin zyrtar se Suel Çela është përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave.