Aplikacion
SPAK ka përmbyllur hetimet për një nga çështjet më të bujshme të viteve të fundit dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj ish-zyrtarit të lartë Arben Ahmetaj, së bashku me 10 persona të tjerë.
Sipas njoftimit zyrtar, Ahmetaj përballet me akuza të rënda që përfshijnë korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Hetimet kanë evidentuar disa episode ku ai dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash dhe përfitime të tjera përmes skemave të ndryshme financiare dhe transaksioneve të dyshimta.
Prokuroria pretendon se përfitimet janë realizuar përmes personave të tretë dhe shitjeve fiktive, si dhe përmes mbulimit të shpenzimeve personale, investimeve në prona dhe udhëtimeve. Mes përfitimeve të dyshuara përmenden shuma në euro, investime në apartamente dhe përfitimi i një vile në zonën e Hamallaj.
Një tjetër element i hetimit lidhet me mosdeklarimin apo deklarimin e rremë të pasurive. Sipas SPAK, Ahmetaj dyshohet se ka fshehur burimin e të ardhurave për disa investime, përfshirë apartamente të përdorura për qira ditore dhe prona në bregdet, si dhe ka paraqitur transaksione të rreme për të justifikuar këto pasuri.
Po ashtu, hetimet përfshijnë edhe dyshime për pastrim parash në bashkëpunim me persona të tjerë, përmes qarkullimit të shumave të konsiderueshme dhe fshehjes së pronësisë reale të pasurive.
Në të njëjtën dosje, bashkëpunëtorë të ndryshëm akuzohen për role të ndryshme, që nga ndihma në fshehjen e pasurive deri te përfshirja në skema të dyshuara korrupsioni dhe pastrimi parash.
Çështja tashmë i kalon Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, ku do të shqyrtohen provat dhe pretendimet e palëve.
Të pandehurit:
Arben Ahmetaj,
Albina Mançka,
Erjola Hoxha,
Mirel Mërtiri,
Klodian Zoto,
Andi Boni,
Elda Dinaj,
Gerian Kuka,
Helidon Begaj,
Sonila Goxhaj
Sokol Meqemeja./ Zoom.al