Aplikacion
Kompania “SORI-AL” ka reaguar pas vendimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për bllokimin e aktivitetit të saj, duke mohuar se incidenti me studentët e Akademisë së Sigurisë ka qenë helmim ushqimor i konfirmuar.
Në një deklaratë publike, kompania sqaron se dokumentacioni mjekësor i administruar nga Shërbimi Infektiv pranë QSUT flet për raste të dyshuara me “gastroenterit akut” dhe jo për helmim të provuar laboratorikisht. Sipas saj, personat e paraqitur në spital kanë shfaqur simptoma të lehta deri të mesme dhe janë larguar brenda pak orësh në gjendje të stabilizuar.
“SORI-AL” thekson se analizat laboratorike dhe epidemiologjike të Institutit të Shëndetit Publik nuk kanë identifikuar prani bakteresh apo virusesh tek studentët e ekzaminuar. Gjithashtu, sipas kompanisë, tamponët e stafit kanë rezultuar negativë për Salmonella dhe Shigella, ndërsa analizat e ujit kanë qenë brenda standardeve të lejuara.
Kompania argumenton se nga nëntë mostrat e marra nga AKU, tetë kanë rezultuar konforme me kriteret ligjore dhe mikrobiologjike. Sipas deklaratës, problemi është konstatuar vetëm në një kampion ushqimor të papërdorur, që lidhej me vaktin e darkës dhe jo me drekën, me të cilën u raportua episodi i studentëve.
Në reagim hidhen dyshime edhe mbi vendimin për mbylljen totale të aktivitetit. “SORI-AL” pretendon se raporti epidemiologjik nuk rekomandon pezullim të aktivitetit, por monitorim dhe masa shtesë higjieno-sanitare.
Shoqëria ka deklaruar se ka kryer menjëherë dezinfektim dhe ndërhyrje higjienike në ambientet e saj, ndërsa paralajmëron se do të ndjekë rrugët administrative dhe ligjore për të kundërshtuar masat e marra ndaj saj.
Ndërkohë, AKU kishte bërë me dije më herët se në analizat e një prej mostrave ushqimore ishte konstatuar prania e bakterit Escherichia coli, pas rastit të raportuar me dhjetëra studentë të Akademisë së Sigurisë që shfaqën probleme shëndetësore.
Reagimi
Në vijim të deklaratës publike të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), si dhe përballë interesit të lartë publik dhe perceptimit të krijuar gjatë këtyre ditëve, Shoqëria “SORI-AL” sh.p.k. ndjen detyrimin moral të vijojë të sqarojë opinionin publik mbi rrethanat reale faktike dhe dokumentacionin zyrtar të administruar deri më tani lidhur me ngjarjen e datës 06.05.2026 pranë Akademisë së Sigurisë.
Referuar dokumentacionit zyrtar të administruar nga Shërbimi Infektiv pranë QSUT, personat e paraqitur kanë shfaqur një tablo klinike të lehtë deri të mesme, ndërsa diagnoza është referuar vetëm si “gastroenterit akut i dyshuar” dhe jo si helmim ushqimor i konfirmuar laboratorikisht. Po ashtu, sipas të njëjtit dokumentacion mjekësor, pacientët kanë marrë trajtim simptomatik dhe janë larguar nga spitali brenda një intervali shumë të shkurtër kohor, nga 1 deri në 3-4 orë, në gjendje të stabilizuar dhe pa pasoja serioze për shëndetin e tyre.
Nga ana tjetër, raportet laboratorike dhe epidemiologjike të administruara deri më tani nga Instituti i Shëndetit Publik nuk kanë identifikuar patogjenë viralë apo bakterialë tek personat e ekzaminuar. Po ashtu, tamponët rektalë të personelit kanë rezultuar negativë për Salmonella dhe Shigella, ndërsa analizat e ujit kanë rezultuar brenda parametrave të lejuar sipas standardeve në fuqi.
Është gjithashtu me rëndësi të theksohet se vetë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë publik faktin se nga 9 mostra të kampionuara, 8 prej tyre kanë rezultuar brenda normave ligjore dhe mikrobiologjike të lejuara, ndërsa pretendimi për jokonformitet lidhet vetëm me një kampion të vetëm ushqimor. Ky kampion i përket vaktit të darkës, produkt i pakonsumuar, dhe nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me rastin e dyshuar për helmim të raportuar në datën 06.05.2026, pasi vetë episodi i raportuar lidhet me vaktin e drekës dhe jo me vaktin e darkës.
Megjithatë, ajo që nuk sqarohet në deklaratën publike të AKU-së është fakti se masa ekstreme e bllokimit total të aktivitetit nuk është mbështetur mbi ndonjë konkluzion përfundimtar laboratorik që provon ekzistencën e një episodi helmimi ushqimor të konfirmuar, por mbi raportin epidemiologjik të Institutit të Shëndetit Publik. Ndërkohë, vetë ky raport epidemiologjik nuk rekomandon mbylljen e aktivitetit, por rekomandon monitorim, masa korrigjuese higjieno-sanitare dhe ndjekje të mëtejshme të situatës.
Pavarësisht kësaj, ndaj subjektit janë marrë masa ekstreme administrative, përfshirë bllokimin total të aktivitetit dhe vendosjen e gjobave të shumëfishta, masa të cilat janë në tejkalim të kompetencave të parashikuara nga Neni 46, pika 2 e Ligjit për Inspektimin dhe Neni 47 i Ligjit “Për Ushqimin”.
Shoqëria “SORI-AL” konsideron se çdo masë administrative duhet të mbështetet mbi prova të plota, standarde ligjore dhe respektim rigoroz të procedurave administrative, dhe jo mbi interpretime paraprake apo trajtime që krijojnë impakt publik disproporcional përpara përfundimit të hetimeve.
Pavarësisht situatës së krijuar, shoqëria jonë ka marrë menjëherë masa të shtuara higjieno-sanitare, duke realizuar pastrim të thelluar, dezinfektim dhe ndërhyrje profesionale D.D.D.
Shoqëria “SORI-AL” do të vijojë të bashkëpunojë me institucionet kompetente, duke ndjekur njëkohësisht të gjitha rrugët administrative dhe ligjore për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të saj të ligjshme./ Zoom.al