zoom

Lajme

“Edi Rama, sociopat me kartelë”/ Silva Caka, zëri opozitar që u kthye në funksionare të qeverisë

“Edi Rama, sociopat me kartelë”/ Silva Caka, zëri opozitar që u kthye në funksionare të qeverisë

Emërimi i Silva Cakës sot si zëvendësministre e Brendshme është një nga ato zhvillime që hapin një debat të ri mbi koherencën dhe besueshmërinë e klasës politike shqiptare.

Vetëm pak muaj më parë, Caka shfaqej në media me deklarata të forta kundër qeverisë Rama, të cilën e akuzonte për korrupsion, abuzime me fondet publike dhe shkatërrim të institucioneve.

Ajo denoncoi aferën e inceneratorëve, duke dorëzuar dosje në SPAK dhe duke folur për miliona euro të zhdukura.

“Një tjetër fakt i rëndë për të cilin e kemi vënë në dijeni SPAK janë dhe disa kontrata kredie me një ekspozim total në vlerën 16.000.000 milionë euro që Integrated Energy BV SPV ka marre pranë bankave të nivelit të dyte duke lënë si kolateral jo vetëm të ardhurat nga kontrata koncensionare e inceneratorit të Tiranës por dhe 18.000 m2 tokë në pronësi të shqiptarëve. Fakti tjetër që SPAK administroi ishte kontrata e kredisë të marrë me garanci sovrane dhe pse kjo kompani nuk e ka ndaluar në asnjë moment aktivitetin e saj dhe gjatë pandemisë së Covid -19. Kemi vënë në dijeni SPAK dhe për dy kredi të marra me fondin e garancisë sovrane në vlerën e 307.200.000 lekë. Një tjetër fakt skandaloz për të cilin sot e kësaj dite nuk kemi asnjë reagim nga ministria përgjegjëse është se inceneratori i Fierit duhet te ishte dorëzuar që në date 31.03.2021 pas 2 shtyrjeve të miratuara në kundërshtim me atë çka parashikon kontrata fillestare. Shteti ka vendosur të mos zbatoje kontratën e të mos vendosi penalitetet që shkojnë deri në 2250 euro ne ditë. Administratori është vënë në dijeni dhe të padive penale të ngritura nga kjo kompani për një tjetër kompani fiktive të krijuar në dijeni të plotë të Klodian Zotos e cila është përdorur për të kryer punime në Fier”, tha Caka në 2022 si përfaqësuese e Partisë së Lirisë.

Për më tepër, Caka sulmoi publikisht shpenzimet për militantët partiakë, duke thënë se “shqiptarët po vdesin në spitale, ndërsa qeveria hedh miliona për të mbajtur pushtetin”.

“Raporti përfundimtar i Kontrollit të Lartë të Shtetit për Bashkinë e Skraparit, tregon se paratë publike, të cilat duheshin hedhur për investime, mungojnë dhe se janë konstatuar punime publike të pakryera.

Por si mund të zhduken paratë në këtë mënyrë? Si është e mundur që paratë e mbledhura nga taksat e qytetarëve, të zhduken sa hap e mbyll sytë?

Kjo ka vetëm një shpjegim: vjedhjen!

Jo pak, por 32 punonjës të Bashkisë së Skraparit, gjenden nën akuzë të fortë nga KLSH-ja, pasi kanë përvetësuar paratë që do të shërbenin për investime.

Gjithashtu, raporti i KLSH-së nxjerr në pah se në këtë bashki, ka problematika të mëdha në prokurime, tendera, dokumentacion e të tjerë.

Pra, me pak fjalë mund të themi se Bashkia e Skraparit është vjedhur masivisht, jo nga individë të panjohur, por nga drejtuesit e saj.

Në këtë kuptim, Bashkia e Skraparit i bashkohet 21 bashkive, të cilat janë falimentuar me dashje nga administratorët e emëruar nga Edi Rama, me qëllimin e vetëm, pasurimin e mëtejshëm të një grupi njerëzish.

Por pavarësisht se ky raport ku konstatohet vjedhja e parave publike, përfshin një periudhë 2 vjeçare kontrolli, gjatë së cilës bashkia është drejtuar nga Adriatik Mema, i emëruar nga Edi Rama në vitin 2019, Rilindja e nxorri përsëri kandidat, për një bashki të cilën e ka vjedhur, duke e çuar drejt falimentit, madje duke mos marrë në konsideratë as raportin tejet intim, që drejtuesit aktualë të kësaj bashkie kanë me alkoolin dhe rrahjet nëpër lokale.

Prandaj 14 Maji është ditë shprese edhe për banorët e Skraparit, pasi mes një grupi hajdutësh dhe një kandidati si Euglen Mustafallari, do zgjedhin këtë të fundit”, deklaronte Silva Caka më 2023.

Për t’u përmendur edhe fakti se atë që sot vijon të jetë kryeministër dhe e ka shef, Edi Ramën, Silva Caka e quante sociopat që pengon integrimin e vendit.

“Nëse vazhdojmë tronditemi me reagimet e pagjak të Edi Ramës, atëherë i bejmë shërbim propagandës së tij dhe relativizimit të çeshtjes. Mos harroni që Edi Rama është sociopat me kartele, e ka justifikimin në xhep kurdoherë (sociopati është një person me një çrregullim personaliteti, i cili manifestohet me sjellje dhe qëndrime ekstremisht antisociale). Mos prisni empati nga Edi Rama..”, shprehej Silva Caka në 2022.

Po ashtu, në disa dalje të tjera, ajo e ka cilësuar Prokurorinë si “vegël qorre të qeverisë”, ndërsa për shkatërrimin urban të Tiranës ka folur për “pastrim parash dhe korrupsion të lidhur me krimin e organizuar”.

Në këtë kontekst, lëvizja e sotme, pranimi i postit të zv.ministres në një nga dikasteret më të rëndësishëm, atë të Brendshëm, lë vend për shumë pyetje. Si e justifikon Silva Caka një ndryshim kaq të papritur të pozicionit? A do të thotë kjo se akuzat e saj ishin thjesht pjesë e retorikës opozitare, apo kemi të bëjmë me një kompromis politik që rrëzon kredibilitetin e saj si zë kritike?

Ky emërim tregon edhe një model të përsëritur në politikën shqiptare: personalitetet që ngrihen mbi kritika ndaj qeverisë, përfundimisht pranojnë poste nga e njëjta qeveri që akuzonin. Kjo krijon tek qytetarët bindjen se politika nuk është çështje parimesh, por pazare dhe llogari personale./ Zoom.al

Postime të lidhura