zoom

In Zoom

Si duhen lexuar mesazhet e Brukselit për negociatat?

Komisioni Europian edhe njëherë përsëriti qëndrimin se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për t’u ulur në tryezën e parë ndërqeveritare, që do të shënojë edhe hapjen zyrtare të negociatave.

Në Tiranë, qeveria shpërndau një mesazh të Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili tha në një konferencë me kryeministrin Rama se Shqipëria i ka mbajtur premtimet dhe realizuar kriteret.

Por a i duhet gëzuar këtij mesazhi sikur të jetë hapja e katërt e negociatave?

Tre herë të tjera Komisioni ka rekomanduar zyrtarisht që negociatat të hapen, por vendet anëtare kanë refuzuar.

Edhe një vit më parë, më 24 mars 2020, BE kërkoi hapjen e bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Vende si Gjermania e Holanda refuzuan. Ata u kërkuan Shqipërisë të përmbushte disa kushte, si Gjykata Kushtetuese, Reforma Zgjedhore apo hetimi i krimit zgjedhor.

Sot komisioneri Varhelyi tha se kushtet janë përmbushur.
Komisioni Europian e ka rekomanduar dy herë të tjera hapjen e e negociatave pa kushte. Por kushtet janë vënë më pas nga vendet anëtare. Presidenti francez, Macron, hodhi dyshime madje dy vjet më parë për raportin e komisionit.

Vendimi për t’u ulur në tryezë do të duhet të merret sërish nga vendet anëtare. Kryeministri Rama ka sulmuar së fundi Holandën, si vendi që po refuzon.

Dhe nëse ndonjë nga vendet anëtare do të votojë kundër, mesazhi i sotëm i Brukselit nuk do të shërbejë për asgjë, përvecse për t’u përdorur nga mazhoranca për zgjedhje. Zoom.al