Aplikacion
Kryeministri Edi Rama reagoi me tone të ashpra dhe ironike ndaj vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila rrëzoi padinë për shpifje që ai kishte depozituar ndaj ish-kreut të opozitës, Lulzim Basha, që prej vitit 2018.
Rama e cilësoi vendimin si një shembull zhgënjyes të gjyqësorit dhe u shpreh se argumentimi i dhënë nga gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri – se deklaratat e Bashës nuk kishin ndikuar në perceptimin publik për kryeministrin – nuk është vetëm absurd, por “është për të vajtuar”.
Duke mos kursyer ironinë, kreu i qeverisë e krahasoi gjyqtaren me personazhin grotesk të letërsisë, Shvejkun, duke lënë të kuptohet se vendimi sipas tij ishte qesharak dhe i padenjë për një sistem drejtësie që pretendon reformim.
Në reagimin e tij publik, Rama nuk harroi të përmendë edhe kërkesën e Unionit të Gjykatësve për rritje pagash me 700 euro, të cilën e kundërshtoi një ditë më parë. Ai e lidh këtë kërkesë me vendime të tilla që, sipas tij, minojnë besimin në gjyqësor.
“Nuk është halli im,” tha Rama në përmbyllje, “por halli i qytetarëve që presin drejtësi nga mendje të tilla. Çfarë ndodh me çështje më jetike për njerëzit, kur vendosin gjyqtarë si kjo apo të ngjashëm me të?”
Gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri, e cila mori vendimin për rrëzimin e padisë, është një emër i konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vitin 2023. Ajo ka një karrierë të ndërtuar përmes Shkollës së Magjistraturës dhe ka shërbyer në Gjykatën e Rrethit Krujë, si dhe në Njësinë e Shërbimit Ligjor pranë Gjykatës së Lartë.