Aplikacion
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka reaguar sot mbi debatin për rritjen e pagave të gjyqtarëve.
Në një deklaratë për mediat, Zaçaj theksoi se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën një pasqyrë të funksionimit demokratik të shtetit.
Ajo shtoi se përgjegjësia për moszbatimin e këtyre vendimeve bie mbi politikën, e cila përballet më pas edhe me koston e këtij mosrespektimi.
“Zbatimi i vendimeve të GJK tregon nivelin e demokracisë. Kemi ende shumë punë për të bërë, por në pjesën më të madhe vendimet tona zbatohen. Politika mban përgjegjësinë për moszbatimin e tyre”, shpreh Zaçaj.
Lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi kërkesën për rritje pagash si një “shaka të hidhur”, Zaçaj tha se ky reagim nuk mund të interpretohet si presion ndaj gjykatës. Sipas saj, deklarata të tilla janë pjesë e debatit normal demokratik dhe shprehin lirinë e fjalës.
“Reagime të tilla i kemi parë shpesh në situata të ndryshme. Për sa kohë mbeten në kuadër të lirisë së shprehjes, ato janë pjesë e demokracisë dhe vlerë e saj,” deklaroi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.
Zaçaj gjithashtu nënvizoi pavarësinë dhe paanshmërinë me të cilën funksionon Gjykata Kushtetuese, duke siguruar qytetarët se kjo instancë është e përkushtuar të ruajë besimin e publikut tek drejtësia.
Ndërkohë, Unioni i Gjyqtarëve ka kërkuar për herë të dytë brenda tre viteve rritjen e pagave, kërkesë që më herët ka marrë miratimin e Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri Rama është shprehur kundër kësaj kërkese, duke theksuar se shpreson që gjykata të mos përsërisë një vendim të tillë./ Zoom.al