Aplikacion
Një 44-vjeçar shqiptar, i dyshuar si autor i vrasjes së bashkëshortit të gruas me të cilën kishte një lidhje të fshehtë, pritet të paraqitet para gjykatës greke, ndërsa autoritetet po hedhin dritë mbi shkaqet që çuan në ngjarjen e rëndë në rajonin e Aitoloakarnanisë.
Sipas mediave greke, dëshmia e bashkëshortes së viktimës ka qenë kyçe në fazën paraprake të hetimit. Ajo ka deklaruar se kishte marrë kërcënime serioze nga bashkëshorti i saj, duke theksuar se ndihej e rrezikuar si për jetën e vet, ashtu edhe për atë të shqiptarit me të cilin dyshohet se kishte një raport intim. Në dëshminë e saj, ajo ka shprehur shqetësim të veçantë për gjendjen psikologjike të fëmijës së mitur dhe ka shprehur keqardhje për humbjen e bashkëshortit 50-vjeçar.
Banorë të zonës kanë folur për një klimë tensionesh të vazhdueshme mes palëve. Njëri prej tyre ka pohuar se i kishte sugjeruar viktimës të shmangte konfliktin dhe të largohej nga situata, duke lënë të kuptohet se përplasjet kishin kohë që ekzistonin.
Sipas të dhënave hetimore, i dyshuari i kishte zënë pritë viktimës dhe e kishte qëlluar me armë zjarri teksa ai udhëtonte me automjet. Pas të shtënave, makina doli nga rruga dhe përfundoi në një fushë. Gjatë kontrollit, policia gjeti viktimën brenda mjetit dhe konstatoi se ai ishte i armatosur me një pushkë gjahu.
Disa orë pas ngjarjes, i dyshuari kontaktoi vetë autoritetet, duke kërkuar të dorëzohej. Ai u arrestua në banesën e tij dhe u sekuestrua arma e përdorur në krim. Avokati mbrojtës ka deklaruar se një pjesë e madhe e raportimeve publike nuk qëndron, por ka pranuar se dëshmia e bashkëshortes së viktimës është vendimtare për zbardhjen e plotë të çështjes. Sipas burimeve zyrtare, pista kryesore mbetet marrëdhënia intime mes tyre dhe fakti që ajo ishte e martuar./ Zoom.al