Aplikacion
Vedat Muriqi ka shprehur mirënjohjen e tij për tifozët pas golit vendimtar ndaj Real Madrid, një gol që siguroi fitore historike për Mallorca dhe që nuk e la pa emocione yllin kosovar.
Sulmuesi shënoi në minutat shtesë, duke i dhënë Mallorcas tri pikët e plota, dhe ky ishte goli i tij i 19-të në La Liga. Pas ndeshjes, Muriqi deklaroi se ka kaluar një periudhë të vështirë, sidomos pas dështimeve të fundit me kombëtaren e Kosovës, ku nuk arriti të kualifikohej për në Kupën e Botës.
“Edhe pse dukem shumë i rëndë dhe i shëmtuar nga jashtë, jam njeri”, tha Muriqi. “Këto dy javë kanë qenë shumë të rënda për mua. E humba penalltinë ndaj Elches në minutën e 92-të, pastaj me kombëtaren humba finalen për t’u kualifikuar në Kupën e Botës, ëndrrën e jetës sime.”
Ai shtoi se goli ndaj Real Madridit ishte i veçantë: “Mendova se ky sezon kishte nisur mirë, por përfundoi keq. Të shënoja këtë gol, me rezultatin 2-1, është një lajm fantastik. Edhe pse kam shënuar 19 gola këtë sezon, ky ka një rëndësi të veçantë sepse morëm një fitore të madhe.”
Muriqi falënderoi tifozët për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe përgëzoi bashkëlojtarët për paraqitjen e jashtëzakonshme kundër “ekipit më të mirë në botë”. “Kur planifikon sezonin, nuk mendon se mund të mposhtësh Real Madridin, por të marrësh tre pikë ndaj klubit më të mirë në botë tregon se ke luajtur një ndeshje të shkëlqyer. Jam shumë i lumtur, krenar për tifozët dhe bashkëlojtarët. Shpresoj të marrim gjashtë pikë në dy ndeshjet e ardhshme ndaj Rayo Vallecanos dhe Valencias.”
Me këtë fitore, Mallorca largohet nga zona e rrezikshme dhe ngjitet në pozitën e 17-të në La Liga.
Pikëpyetje mbi vdekjen e Enrik Mehmetit? Gazetari i kërkoi ndihmë të vëllait: Eja më shpëto