zoom

Aktualitet

Shpërblime për policët, kush përfiton dhe sa do të jetë bonusi

Shpërblime për policët, kush përfiton dhe sa do të jetë bonusi

Punonjësit e Policisë së Shtetit në strukturat vendore do të përfitojnë një shpërblim financiar për angazhimin e treguar gjatë sezonit turistik veror. Vendimi është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, si vlerësim për rolin e tyre në garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike.

Sipas urdhrit zyrtar, efektivët me gradë policore në nivel vendor do të shpërblehen me nga 30 mijë lekë secili. Shpërblimi jepet me motivacionin “Për angazhimin dhe përkushtimin profesional të treguar në menaxhimin me sukses të sezonit turistik, duke garantuar rendin dhe sigurinë publike”.

Vendimi parashikon që strukturat e burimeve njerëzore në drejtoritë vendore të policisë të hartojnë urdhrat individualë të shpërblimit, të shoqëruar me relacionet përkatëse. Zbatimi i menjëhershëm i këtij urdhri do të mbikëqyret nga drejtuesit e strukturave vendore.

Efektet financiare që rrjedhin nga ky shpërblim do të përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2025 për programin “Policia e Shtetit”, ndërsa Drejtoria e Financave dhe ajo e Burimeve Njerëzore janë ngarkuar për ndjekjen e procedurave. Vendimi hyn në fuqi menjëherë./ Zoom.al

Postime të lidhura